Dudek bën zbulimin sensacional mbi penalltinë e pritur ndaj Shevchenko: Nuk e dija se ishte…

15 Shtator 2021
15:15
Alfred Lleshi
back button

“A më besoni nëse ju them se nuk e dija që ishte penalltia e fundit? (qesh). Mund t’ju siguroj se nuk kisha bërë asnjë lloj llogaritje, nuk kisha kuptuar asgjë në delirin e përgjithshëm të ndeshjes. Pastaj, pasi prita penalltinë e Shevchenko, pashë të gjithë djemtë që vraponin drejt meje dhe e kuptova se kishim fituar vërtet”.

I intervistuar nga “FanPage”, ish-portieri i Liverpool-it, Jerzy Dudek, kujton Ligën e Kampionëve të fituar në mënyrë të bujshme më 2005, me penallti kundër Milanit, pasi e kishte mbyllur pjesën e parë në disavantazhin e pastër 3-0: “Euforia ishte e madhe, me të vërtetë pyesja veten: Ju e bëtë atë, me të vërtetë e bëtë!? Sheva është një djalë i shkëlqyeshëm, marrëdhënia jonë është e mrekullueshme. Sa herë flasim, padyshim që tema kryesore mbetet gjithmonë ajo e finales në Stamboll”.

Dudek zbulon se çfarë u tha ndihmësi i trajnerit Benitez në pushimin mes dy pjesëve: “Dëshpërimi ynë ishte i qartë. Rezultati dukej i qartë 3-0. Alex Miller, një nga asistentët e Rafa Benitez, na tha: Unë e di se çfarë po mendoni, por duhet ta pastroni mendjen tuaj. Ju nuk duhet të mendoni se ky mund të jetë rezultati më i keq në Ligën e Kampionëve. Rivalët tuaj kanë shumë besim në vetvete, sepse po fitojnë 3-0.

Nëse arrini të shënoni një gol në dhjetë minutat e para do të jetë skenari ideal, sepse Milani nuk do të reagojë. Pastaj do të keni shumë kohë për të shënuar sërish. Dhe në rast se ndodh kjo, ata do të panikohen dhe ju me të vërtetë mund të barazoni! Në realitet, zëri i tij ishte i dëshpëruar. Dhe unë nuk mendoj se djemtë në fushë e besuan vërtet… për mënyrën se si po shkonin gjërat”.

Dudek tregon edhe çfarë bisedoi me Carragher: “Pas kohës shtesë skenari ishte kaotik, të gjithë ishim në delir nga përmbysja epike. Më i fiksuari nga të gjithë ishte Jamie Carragher. Para goditjeve të penalltive, ai më nxiti fuqishëm: Jerzy, është radha jote. Duhet të prishësh ritmin e tyre. Mos harro Grobbelaar kundër Romës…

Ai ishte shumë i mirë në acarimin dhe shpërqendrimin e kundërshtarëve. Mundohu të bësh të njëjtën gjë. Bëni diçka në vijën e portës. Luani me ta, ju duhet t’i destabilizoni… Unë e shikova drejt e në syr dhe i thashë: Ok, Carra, mirë, por kaq është e mjaftueshme. Më lejo një moment të përqendrohem para penalltive. Kisha nevojë për qetësi”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit