Duka: Do të isha i lumtur, nëse Hysaj qëndron te Napoli

8 Korrik 2020
9:28
Alfred Lleshi
back button

Sikurse njofton faqja zyrtare e FSHF-së, presidenti Armand Duka është prononcuar për Radio “Kiss Kiss Napoli”, në të cilën ka deklaruar se ndeshjet e kthimit të fazës së 1/8-ve të Championsit nuk do të luhen në fushë neutrale. Me statusin e anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, Duka nënvizoi se Barcelona kërkon ta luajë patjetër në fushën e vet kthimin me Napolin. Për fazt e mëtejshme të këtij kompeticioni nuk ka ndryshime:

“Mund t’ju konfirmoj se për momentin, ndeshjet e kthimit të fazës së 1/8-ve të Champions-it nuk do të luhen në fushë neutrale. Barcelona kërkon të luajë në fushën e saj dhe, me aq informacion sa kam, po bën përpjekje për të pasur tifozë të pranishëm në stadium. Por, gjithçka do të varet nga ecuria e kurbës epidemiologjike”. Lidhur me fazën e “Final Eight” të Champions-it, presidenti i FSHF-së ka konfirmuar: “Ndeshjet e fazës finale do të luhen në Lisbonë, gjithmonë nëse nuk do të ketë ndonjë ndryshim të imponuar nga pandemia Covid-19”.

Në fund, një koment edhe për të ardhmen e futbollistit të kombëtares shqiptare dhe Napolit, Elseid Hysaj. “Nëse do të qëndrojë te Napoli, do të isha shumë i lumtur. Do të isha i lumtur edhe për kombëtaren tonë, sepse vazhdimi i karrierës te Napoli do të kishte vetëm anë pozitive për Hysajn”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit