Duka komenton shortin e Ligës së Kombeve, cakton objektivin e kombëtares

17 Dhjetor 2021
9:15
Alfred Lleshi
back button

Shorti i Ligës së Kombeve, edicioni 2022-2023, i ka vendosur kuqezinjtë përballë kundërshtarësh të njohur, ndaj të cilëve kanë luajtur dhe fituar. Emri më i madh duket ai i Rusisë, të cilën e kemi mundur në “Loro Boriçi” 3-1, në kohën e trajnerit Brigel.

Duke e parë në këtë këndvështrim, verdikti i goglave që u përzien dje në Nyon të Zvicrës konsiderohet pozitiv nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Duke folur për faqen zyrtare të FSHF-së në internet, kreu i futbollit shqiptar shpalosi edhe objektivin e kombëtares në këtë fushatë, që është vendi i dytë, por pse jo, edhe i pari:

“Shorti nuk u tregua negativ me ne. Mendoj që nga skuadrat që kishim në grupin B, pak a shumë të dëshiruara, do të ndeshemi me skuadra ndaj të cilave mund të arrijmë rezultat pozitiv. E kemi bërë këtë edhe në të shkuarën. Skuadra duhet të përgatitet për një kompeticion shumë më të vështirë se sa ai i kaluari në grupin C.

Tani jemi në një shkallë tjetër vështirësie, në një nivel tjetër dhe kërkohet akoma më shumë kualitet dhe impenjim. Objektivi i skuadrës? I shikoj të gjitha rezultatet e mundshme kundër të tre kundërshtarëve, qoftë në shtëpi, qoftë jashtë. Uroj që të jemi me spektatorë në qershor, që gjërat të jenë stabilizuar dhe të mos kemi më këto probleme të kufizimit nga Covid, duke pasur parasysh edhe diferencën në ditë që ka mes ndeshjeve.

Uroj që lojtarët tanë të jenë mirë, sepse është fund edicioni. Kur ke një skuadër relativisht të mirë si ne, që luajnë pothuajse në të gjitha ndeshjet e vitit, fundi i kompeticionit i gjen në njëfarë mënyre të lodhur, kështu që ky është një disavantazh për kuqezinjtë dhe avantazh për ata lojtarë që luajnë më pak ndeshje gjatë vitit. Gjithsesi, ne i kemi mundësitë të arrijmë çdo rezultat. Objektivi real i Shqipërisë në këtë kompeticion është vendi i dytë, por nuk është i pamundur edhe vendi i parë.

Ky mbetet një kompeticion i ndërmjetëm, që i jep mundësinë stafeve të provojnë akoma më shumë, të guxojnë edhe më shumë me futbollistë të rinj. Vërtetë skuadra jonë është rinovuar, vërtetë kemi edhe dy ndeshje miqësore në mars, në të cilat besoj se trajneri do guxojë dhe do eksperimentojë me lojtarë të rinj, por mendoj që gjatë këtij kompeticioni, ekipi A duhet të marrë të paktën 3 futbollistë nga ekipi U-21, të cilët mendoj se janë gati për të filluar karrierën e tyre në ekipin A. Mendoj se do të na ndihmojnë kryesisht në ato reparte që kemi nevojë, siç është mesfusha. Ne kemi kualitete tek U-21, besoj se mund të na ndihmojnë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit