Duka pozicionohet në debatin Reja-Broja: Nuk është ende futbollist i madh…

27 Dhjetor 2021
22:30
Alfred Lleshi
back button

Në një intervistë të gjatë për “Supersport”, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, u ndal edhe te debati mes energjisë së Brojës dhe pjekurisë së Rejës, që është komentuar gjerësisht në shtyp. Situata u nxeh më tej nga një deklaratë e trajnerit kuqezi se “Broja nuk ka pasur një sjellje të mirë”:

“Diferencë e madhe në fakt. Një 76-vjeçar me një 20-vjeçar, mbase e kanë pasur të vështirë. Gjithsesi, unë kam vlerësime pozitive maksimale nga pikëpamja sportive për të dy. Edhe për 20-vjeçarin, edhe për 76-vjeçarin. Broja është një futbollist me talent, nuk mund të themi akoma që është bërë një futbollist i madh.

Që të themi se është bërë një futbollist i madh, duhet akoma kohë. Natyrisht, ka potencial e mundësi dhe të gjithë ne duhet të jemi pozitivë për ta shtyrë atë që të bëhet një futbollist i madh për veten e tij, por edhe për ne, pasi ne na mungojnë talente të tilla.

Ndihma që duhet t’i japim është që të jemi realë dhe jo në njëfarë mënyre ta fërkojmë edhe kur gabon. Jemi të gjithë njerëz që gabojmë, por mirë është që kur i vë në dukje kritikat, t’i korrigjosh ato dhe jo të reagosh negativisht. Kam shumë besim se ai do të na ndihmojë, siç do të na ndihmojnë të gjithë të tjerët.

Futbolli është një lojë kolektive dhe askush nuk mund ta marrë rezultatin vetëm; nëse nuk ka pas kolektivin, nëse nuk ndihmojnë njëri-tjetrin në çdo centimetër. Nuk ka debat kur ka kritika. Nuk ka një gjë antagoniste”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit