Duka rrëfehet në Itali; nga “plakushi” Reja te ylli Kumbulla dhe objektivat e kombëtares

16 Maj 2020
13:01
Alfred Lleshi
back button

Armand Duka përgjigjet me italishten e përsosur. Është përtej detit, në Shqipërinë e tij. Toka e saj, horizontet e saj. Përtej valëve, Italia. Pikërisht në Romë, në shkurt 2019, ai u zgjodh në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s, si numri një i FSHF-së. Krenohet me atë që ka bërë ndër vite dhe me punë, flet për të tashmen dhe të ardhmen. Sipërmarrës i suksesshëm, ai ka udhëhequr Federatën Shqiptare të Futbollit që nga viti 2002. Puna e tij ka qenë themelore për ndërtimin e stadiumeve, infrastrukturës futbollistike dhe qendrave teknike. “Në këtë moment ne jemi ndalur, megjithatë, – shpjegon presidenti i FSHF-së, ekskluzivisht për “Tuttomercatoweb.com”.

– Nga 9 marsi deri më tani nuk kemi dalë në fushë. Edhe futbolli, si të gjitha aktivitetet ka qenë i pezulluar prej pandemisë. Javën tjetër, nga e hëna e 18 majit, do të rifillojmë me seancat në grup, pastaj nga 3 qershori do të rifillojmë Kategorinë Superiore. Nga 7 qershori rifillon edhe Kategoria e Dytë dhe e Tretë. Deri më tani, lojtarët kanë punuar individualisht, me seanca të udhëhequra nga teknikët. Kjo vlen si për profesionistët, ashtu edhe për sektorët e të rinjve. Pra, ka mbizotëruar puna në shtëpi”.

Sa e fortë ishte goditja për futbollin shqiptar, si pasojë e ndalesës për pandeminë e Covid-19?
Klubet tona, në përqindje kanë patur të njëjtën humbje me të mëdhenjtë: 20-25% të buxhetit. E njëjta gjë, edhe për në si FSHF; kemi humbur ndonjë ndeshje miqësore, ndonjë të drejtë a ndonjë hyrje në të ardhura. Shqipëria është një vend ndryshe nga Italia në shumë aspekte. Shoqëria jonë është më e brishtë, ne si federatë kemi iu paguar dy paga mujore të gjithë atyre që punojnë në futboll. Qeveria fatkeqësisht nuk na ka ndihmuar si lëvizje futbollistike, për këtë vendosëm direkt të japim dy paga.

Një gjest fisnik dhe i rëndësishëm…
Tani shpresojmë të rifillojmë. Kemi bërë një protokoll për të rifilluar, të ngjashëm me atë gjerman. Do të bëjmë të pamundurën, sipas kushteve tona dhe impianteve që kemi. Nuk është e pamundur për t’u respektuar protokolli. Duhet thënë se në Shqipëri virusi nuk ka patur impakt si në vende të tjera. Situata ishte ndryshe nga vendet e tjera, për fat.

Lidhja mes vendeve tona është konsoliduar edhe falë gjestit të mjekëve vullnetarë, dërguar në ndihmë të Italisë nga kryeministri Edi Rama…
Ishe një gjest i bukur. Nga dita e parë e vlerësova dhe e telefonova Kryeministrin; i thashë që ishte gjëja më e bukur që kishte bërë në këtë situatë. U dëshmua respekti e mirënjohja jonë për Italinë. Në 30 vitet e fundit ka qenë një vend pranë nesh, në çdo fushë e aktivitet të jetës. Shumë shqiptarë jetojnë në Itali, e kemi treguar kështu mirënjohjen tonë.

Flasim për federatën. Me ngjyrime të forta italiane…
Si kombëtare kemi studiuar një organizim të ri me Edoardo Reja e stafin e tij. Tekniku nuk drejton vetëm kombëtaren A, por është përgjegjës edhe për kombëtaret e moshave, bashkëpunon me të gjithë trajnerët, nga U-15 tek U-21. Edhe stafi i tij bën të njëjtën gjë. Mjeku i kombëtares është përgjegjës i mjekëve sportivë, përgatitësi atletik për të gjithë përgatitësit e kështu me radhë.

Zbulimi është në bazë të gjithë projektit të orientuar drejt të ardhmes…
Edhe pse Shqipëria ëshë e vogël, e kemi ndarë vendin në 6 rajone dhe i stërvisim kombëtaret nga U-13 tek U-17 çdo javë, gjithë vitin. Pastaj, ka gjithnjë një kampionat, ku teknikët e kombëtareve kërkojnë talente. Po bëhet edhe një punë e madhe për zbulimin e talenteve jashtë vendit. I kemi dërguar bashkëpunëtorët tanë kudo, dy herë në vit, ku bëhen grumbullime për të gjetur talente. Kemi pjesën më të madhe të lojtarëve jashtë Shqipërisë, jo vetëm në kombëtaren e parë, por deri edhe tek U-15. Shumë luajnë jashtë, bëjmë edhe grumbullime e miqësore.

Kalojmë tek Reja, trajneri më i vjetër në botë…
E njihja Reja si trajner i Napolit, për ne ishte një ëndërr të kishim një trajner të këtij niveli. Pastaj, kur e takova për herë të parë, thashë: është 74 vjec… Në fakt, nuk i tregon aq. Eshtë i ri, nga jashtë dhe nga brenda: stërvitet e stërvit, vrapon më mirë se të tjerët. Me të është kthyer atmosfera e De Biasi, për fat.

Çfarë objektivi keni me të trajner?
Të gjithë bëjnë tifo për skuadrën e tyre, edhe unë. Por, duhet të jem edhe realist. Mund të them se Shqipëria mund të luajë kundër të gjithëve në Europë. Kështu, mund të humbasim edhe kundër rivalëve të vegjël… Prandaj them se në çdo fushatë eliminatoresh, objektivi është të kualifikohemi. Në Ligën e Kombeve synojmë vendin e parë në grupin C.

Mund ta bëni edhe falë një talenti që magjepsi Serie A, Marash Kumbulla i Veronës. Që Italia mendonte t’jua merrte…
Ka luajtur me ne që nga U-15 e më pas, deri në kombëtaren A. U aktivizua pak me U-21, sepse shkoi në skuadrën e parë. Tek ai kemi shpresa të mëdha, por kemi shumë lojtarë me talent në skuadrën e parë dhe te moshat.

Edhe midis shtyllave të portës…
Kemi Strakoshën e Berishën. Etriti është një lider, Thomas po lufton për titullin në Itali. Eshtë i ri dhe i aftë. Reja është në vështirësi të zgjedhë, sepse të dy janë të mirë dhe luajnë rregullisht. Nuk është e lehtë t’i lësh jashtë formacionit.

Nuk ka mbaruar këtu…
Pastaj është Djimsiti, i kualifikuar me Atalanta në çerekfinale të Champions-it, në sezonin e tij më të mirë. Eshtë rritur, ka ndryshuar shumë, është një lider. Për të mos folur pastaj për Elseid Hysaj, kapitenin tonë, që luan në një skuadër të madhe si Napoli.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit