Duka: Strakosha duhej të ishte korrekt, Mema gaboi në Fushë-Krujë

18 Mars 2019
14:49
back button

Me apo pa dashje, Armand Duka ka dalë në krah të trajnerit Christian Panucci, i cili ka përjashtuar portierin Thomas Strakosha nga kombëtarja për dy ndeshjet e ardhshme, pas njoftimit nga futbollisti i Lazios se nuk mund të ishte që dje në Tiranë. Situatë e sikletshme, sepse deri dje pasdite nuk kishte asnjë problem dhe në mbrëmje u mor vesh kjo histori, për të cilën vetë Duka nuk ishte njoftuar fare.

Gjithsesi, në Durrës sot ishte edhe vetë presidenti i Federatës, i cili foli për çshtjen Strakosha: "Më vjen keq për Strakoshën, sepse është një nga lojtarët më të rëndësishëm. Ai është i rëndësishëm, por disiplina është akoma më e rëndësishme për skuadrën dhe kjo është fitore e disiplinës. Nga kontakti që kam pasur me trajnerin, portieri nuk ka pasur arsye objektive për të munguar. Nëse gjithë shokët vijnë në kohë, duhet të respektosh orarin. Le të shërbejë si një mësim për lojtarin, që Kombëtarja është mbi gjithçka".

FUSHË-KRUJA – Të dielën sfida mes Kastriotit e Tiranës në Fushë-Krujë u mbyll me një situatë mjaft të tensionuar, ku trajneri Ardian Mema u konfrontua me disa policë, kur deshi të komunikonte me arbitrin e ndeshjes. 

Në lidhje me tensionin në Fushë-Krujë, presidenti i FSHF-së ka komentuar: "Me gjithë respektin për Memën, ai gaboi që hyri në fushë. Jam i sigurt që nuk shkoi për të goditur arbitrin, por ai kishte marrë karton të kuq dhe me rregullore ndalohej të futej në fushë. Edhe forcat e rendit e ndalën, bënë detyrën.

"Stadiumi në Fushë-Krujë? Nuk i ofron të gjitha kushtet, por nuk pati dhunë në fushë. Policia bëri gjithçka për të parandaluar ndonjë ngjarje si ajo e Kamzës, ndaj u tha lojtarëve dhe stafit të Tiranës të futeshin në dhomat e zhveshjes".

Lajme të tjera

Lajmet e fundit