Duro flet para Superkupës: Partizani është një hap para, po negociojmë me Abazajn

17 Gusht 2019
13:01
Alfred Lleshi
back button

Në prag të ndeshjes finale për Superkupën e Shqipërisë ndaj Partizanit, e cila do të luhet nesër në “Elbasan Arena”, nga ora 19:00, trajneri Shpëtim Duro doli në konferencë shtyp dhe bëri prognozën e tij. Po ashtu, trajneri kryeqytetas i Kukësit foli foli për gjendjen e skuadrës, merkaton etj. Ndër të tjera, ai u shpreh: “Sigurisht që një ndeshje ndryshon nga tjetra. Kur lufton për objektiva gjatë gjithë kampionatit është tjetër gjë nga një finale si kjo, e cila vlen një trofe. Është test i rëndësishëm për të dyja skuadrat. Janë dy ekipe, që kanë rivalizuar sezonin e kaluar. Them që kjo e bën interesante finalen e Superkupës. 

Partizani, duke iu referuar ndeshjeve të fundit në Europë, është më përpara. Kukësi ka ndryshime, sepse janë larguar tre lojtarë bazë, si Cuculi, Rrumbullaku dhe Rama. Janë linja e krahut të majtë. Kemi punuar gjithë javën për t’i zëvendësuar dhe për ta përgatitur si duhet këtë takim. Puna e merkatos në çdo skuadër është proces. Iu referova këtyre tri largimeve, që kanë qenë tani së fundi. Shameti ka kohë që nuk aktivizohet. Nuk ka qenë koha në favorin tonë, por po tentojmë t’i zëvendësojmë. Ardhja e parë ishte ajo e Kotobellit, që zëvendëson Rrumbullakun.

Sot paraqitet në stërvitje lojtari nigerian, që është aktivizuar në Kroaci. Ai zëvendëson Cuculin. Këtë javë po tentojmë një goditje, që të jetë në nivelin e Ramës, në sulm. Gjici është i gatshëm, po punojmë shumë edhe me Nexhipin për ta plotësuar skuadrën. Duhet edhe koha e duhur për ambientim me skuadrën. Unë kam dy javë që kam marrë drejtimin e skuadrës. Duke parë Kukësin e sezonit të kaluar, nuk do doja t’i hiqja asnjë centimetër skuadrës.

Erdha te Kukësi, sepse nga ajo skuadër e sezonit të kaluar nuk do të largoja asnjë centimetër, por këto janë gjëra që ndodhin, për arsye të ndryshme. Ka situata të tilla, dikush nuk bie dakord për kontratën me klubin. Valdeti, për arsye të justifikueshme, personale, nuk do të jetë. Ideja ime ishte që ta mbaja atë skuadër. Baza është, pasi gjysma e atyre që janë larguar nuk kanë qenë të nevojshëm. Kemi marrë Gavazajn, Dakun, Kotobelli, Xhika. E rëndësishme është që baza të jetë. 

Mund të jenë larguar disa lojtarë bazë, por shumë të tjerë kanë ikur, sepse nuk kanë qenë të nevojshëm. Po nuk largove, nuk merr dot të tjerë. Me ngadalë, skuadra do ta marrë fizionominë e duhur. Do të jemi skaudër e fortë, me pikësynime. Nëse marrim 2 lojtarë, që kemi në projekt, do të jemi mirë. Ne jemi përgatitur, Partizani atë fizionomi loje ka. Më shumë ka qenë ekip racional, por me rendiment. Edhe ndaj Sherifit, ajo skuadër ka qenë. Ka ndryshuar pak vendosjen, përsa i përket skemës. Ne kemi punuar, që të përgjigjemi me atë skemë që ka Partizani.

Do të kisha dëshirë të shtyhej të paktën një javë kampionati, sepse e thashë, Kotobelli ka 2 ditë që ka ardhur. Partizani është një hap para, por kemi kontingjent dhe kapacitet. Abazaj? Po, nuk ka asnjë sekret. Jemi në bisedime. Pastaj, a realizohet, do ta shohim. Me të po merret Nexhipi. OK-in e fundit e jep presidenti, edhe nga ana financiare. Di që Nexhipi është në tratativa me Abazajn. Nëse nuk bie dakord, kemi edhe një pistë tjetër nga jashtë. Nëse vjen Abazaj, jemi të kompletuar.

Lojtarët e Kukësit kanë ikur në Kosovë? Kjo është ekonomi tregu. Futbolli i Kosovës ka investuar, vjet edhe këtë vit. Lëvizja është e lirë. Disa vijnë në Shqipëri, këta që ishin te ne ikin në Kosovë. Rëndësi ka ndërtimi me cilësi i skuadrës. Janë lojtarë që ndoshta nuk kishin hapësira tek ekipet e mira të Shqipërisë. Është një situatë normale.

Ndonjëherë, ato skuadra që kanë pretendime, kanë përgjegjësi më të mëdha se ato që formohen në fund. E mbani mend Danimarkën, që u shpall kampione Europe, pasi erdhën nga plazhi? Futbolli është i çuditshëm, duhet përqendrim. Këtë vit, ekipet kanë qenë të kujdesshme. Do të jetë një kampionat i nivelit të mirë. Vjet nuk ka pasur rivalitet. Ka qenë vetëm Partizani dhe Kukësi. Të tjerët kanë qenë në disnivel.”

Lajme të tjera

Lajmet e fundit