Duro i përgjigjet “thumbit” të Shametit: Ja objektivat që kam me Kukësin

22 Gusht 2019
11:30
Alfred Lleshi
back button

Më 18 gusht humbi me rezultatin 4-2 ndaj Partizanit, skuadrës së tij të zemrës. Ajo finale vlente një trofe, në fakt, Superkupën e Shqipërisë, ndaj dështimi djeg. Megjithatë, Shpëtim Duro ka mundësinë për “autokritikë” apo “hakmarrje”, sepse të premten do të vihet sërish përballë 16 herë kampionëve të vendit. Në të njëjtin stadium, “Elbasan Arena”, por për hesap të kampionatit kombëtar. Superiorja starton me supersfidën Kukësi-Partizani, për të cilën Duro ka bërë prognozën e tij në konferencën për shtyp. Ndër të tjera, ai ka nënvizuar:

“Ishim pranë fitimit të Superkupës së Shqipërisë. Për 2 minuta mund ta merrnim trofeun. Më erdhi keq për rezultatin, jo për lojën tonë. Në një periudhë të shkurtër dhe me probleme në formacion, sidomos në mbrojtje, jam befasuar nga loja e skuadrës që drejtoj. E kam parë ndeshjen me kujdes. Në pjesën e parë ishim në fushën e lojës, por në pjesën e dytë u pa nga të gjithë se pakujdesia na kushtoi humbjen. Jam i kënaqur si luajtëm, përveç pak gabimeve individuale.

A do të jemi nesër në presion nga humbja e finales së Superkupës? Historia e një ndeshjeje me eliminim direkt është gjë tjetër. Kam ardhur këtu për të synuar titullin kampion dhe Kupën e Shqipërisë. E kam thënë edhe para finales së Superkupës. Duke e pasur skuadrën jo të plotë, Kotobelli kishte vetëm 1 ditë stërvitje, gabimet e tij janë të pranueshme. Nga eksperienca mendova se do të dilte mirë. Ndaj një skuadre si Partizani, që është e konsoliduar, do ta shmangia. Patjetër, ndeshjen e nesërme do të ndryshojë fizionominë e lojës. Me atë lojë që zhvilluam, përveç shtesës, them se ishim mirë. Do të forcohemi edhe me stolin. Partizani e meritoi fitimin e Superkupës. Historia fillon nesër me kampionatin dhe Kupën e Shqipërisë. Kam besim se do të bëjmë një ndeshje të mirë.

Nuk do të ndryshoj asgjë nga loja, por duhet më shumë përqendrim në momente të veçanta. Në pjesën e dytë kishim dominim dhe për 2 minuta do të ishte histori tjetër. Pa Valdet Ramën bëmë superndeshje. Imagjinoni po të ishte edhe ai. Gavazaj më ka befasuar, sepse ka 3-4 muaj pa luajtur dhe nuk e prisja atë paraqitje. Largimi i tij dhe i Shkurtajt ndikuan. Nuk dua të ndryshoj asgjë nga loja e shkuar. Merkatoja? E kam marrë skuadrën vonë. Ka ardhur Obanur, me dy ditë stërvitje mund të luajë të premten. Vjen Abazaj sot në stërvitje dhe në këto kushte duam të marrim pikët e para. Skuadra do kohën dhe momentin e duhur, por nuk kemi çfarë bëjmë. 

Skuadra do të jetë e fortë gjatë gjithë kampionatit, por koha e shkurtër që kemi në dispozicion është pak problem. Para ndeshjes së Superkupës shpresoja të shtyhej një javë kampionati. Gara është e gjatë dhe jo vetëm një trofe, që u vendos në 10 minuta. Të luash me Partizanin në një moment aq të shpejtë në atë formë dhe të dominosh, kjo nuk është e lehtë. Kjo paraqitje dhe kjo mënyrë loje në skuadër më bëjnë optimist. Me afrimin e Abazajt dhe ndonjë tjetri, skuadra bëhet vërtet e fortë.

Kotobelli do ta ndihmojë skuadrën, por gabimet janë gjëra normale. Obanur ka cilësi, por përshtatja do kohën e duhur. Cilësitë e Abazajt dihen, por është problem koha pa luajtur. Këto futbollistë e rrisin skuadrën. Jam i kënaqur me këto blerje, jam mirë me këto lojtarë. Insistimi im ka qenë të ruhej skuadra që ka qenë, sidomos me Valdet Ramën, që ishte 30-40% më mirë. Nuk dua t’i kthehem asaj historie, pasi ai bëri zgjedhje tjetër. Po vjen Abazaj dhe është Gavazaj. Këto kërkesa kam pasur. Si e përjetoi presidenti humbjen e Superkupës? Nuk kam pasur takim me Gjicin. E di që është i mërzitur, por mënyra si humbëm e shton keqardhjen. 

Kam kontratë me presidentin, e cila nuk kishte lidhje me Superkupën, sidomos për kushtet që kishim. Duam të fitojmë Kupën e Shqipërisë dhe të zëmë dy vendet e para në kampionat. Ky është objektivi që kam pasur. Çfarë ndodhi me ish-kapitenin? Nuk ka problem reagimi. Shametin e respektoj, pasi kam pasur konsiderata për të si njeri dhe si futbollist. Çdokush mund të bëjë deklarata emocionale, por unë nuk kam nxjerrë nga goja asgjë. Shtypi thotë se unë e kam larguar Shametin, por nëse nuk do ta kisha në plane, do ta thoja. Përkundrazi, asnjëherë nuk kam thënë që Shametin nuk e dua. 

Kam thënë që, nëse është 100%, do të ishte një forcë. Kam thënë se ishte larguar nga 2-3 muaj, por jo që Shameti nuk duhet të jetë. Nuk kam të drejtë të largoj ikona të klubit pa bashkëpunim me drejtuesit. Di që ky cikël u mbyll, kur nuk ra dakord për rinovimin. Këto janë probleme dhe nuk është hera e parë që ndodhin. Nuk kam asgjë për t’iu përgjigjur, por respekt. Jam i bindur se edhe ai është bërë pishman, pasi është me përvojë dhe televiziv. Është nxituar”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit