Duro: Keqardhje si e pësuam golin në fund, kontrolluam gjithçka

8 Mars 2021
15:32
Alfred Lleshi
back button

Goli i barazimit të Apolonisë i është dukur si “rrufe në qiell të hapur”. Shpëtim Duro nuk e shpjegon dot atë moment, në minutën e 89-të të lojës, kur portieri i tij doli nga porta në mënyrë amatoreske dhe i dha mundësinë sulmuesit kundërshtar të godiste me kokë në portën e zbrazur e të barazonte rezultatin. Fitorja dhe kreu i Superiores iu iku nga duart kurbinasve në mënyrën më dramatike të mundshme. Sidoqoftë, trajneri eviton të merret me emra të përveçëm:

“Ky është futbolli, nëse nuk e mbyll ndeshjen e pëson. Rezultati 1-0 nuk është i sigurt, pavarësisht lojës në 90 minuta. Duhet ta mbyllnim, kishim 3-4 raste në pjesën e parë. Të marrësh një gol ashtu, të vjen keq. Nuk kam koment për lojën, u paraqitëm mirë. Në këto situata rëndësi ka rezultati.

Titulli? Mbi këtë barazim mund të diskutosh shumë, por kjo skuadër ka qenë dominuese totalisht. Kanë lënë edhe të tjerët pikë, por ishte e tmerrshme që me këtë lojë të dilnim barazim. Ky është futbolli, nëse nuk e zgjidh ndeshjen, vjen një moment pa pretendime dhe ndëshkohesh në fund.

Kishim mundësi reagimi, me Markun për 2-1. Fierakët nuk kishin asnjë mundësi gjatë gjithë ndeshjes, për këtë më vjen keq. Po të luante kundërshtari hapur me ne, OK, do ta pranonim. Secili lojtar ka vlerat e veta, kishim Shehun pranë Harmon. Mungonin Xhixha e Nwabueze, Mazrekaj nuk është në 100 për qind. Nuk diskutohen mungesat, pasi luajtëm mirë. Na vjen keq që nuk morëm tri pikët.

Nuk mund të korrigjoj asgjë te skuadra dhe loja, nga fillimi deri në fund. Nuk mund t’i kritikoj çunat. E vetmja gjë është që duhet ta mbyllnim ndeshjen. Portieri i Apolonisë tregoi kualitetet në disa raste. Për portierin tonë nuk dua të flas”.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit