Dy barazime të luftuara, starti i javës së 3-të e Superiores dhuron emocione

25 Shtator 2021
15:44
Alfred Lleshi
back button

U luajtën dy ndeshjet e para të javës së tretë të Kategorisë Superiore. Në Kamëz dhe Rrogozhinë kishin “migruar” si pritës Kastrioti dhe Teuta, respektivisht. Durrsakët e kanë fushën e stadiumit të tyre në rikonstruksion, ndërsa krutanët kanë kohë që janë bujtës në stadiumin kamzali. Pikërisht aty, skuadra e Ramadan Ndreut ka arritur të marrë pikën e parë në këtë kampionat.

Fillimisht ka kaluar në epërsi Kastrioti, me shkodranin Karakaçi në minutën e 41-të. Me të filluar pjesa e dytë, bardheblutë kanë barazuar me Seferin. Më pas, beteja ka qenë e fortë për golin e fitores. Sidomos Tirana ka tentuar me të gjitha mënyrat për të kompletuar përmbysjen, por nuk ia ka dalë. Krutanët janë mbrojtur mirë dhe në fund iu gëzuan pikës së parë, pa e lëshuar dot fundin e klasifikimit.

Në Rrogozhinë nuk pati gola mes kampionëve në fuqi dhe Dinamos. Një ndeshje mjaft e bukur dhe e luftuar, me aksione në të dyja portat. Nuk kanë munguar rastet për shënim, të evituara mjaft mirë nga portierët respektivë. Vlen të theksohet rritja dhe soliditeti i Dinamos, e kthyer pas 8 vitesh në Superiore dhe e ndërtuar nga e para kësaj vere.

Shkëmbi ka bërë qartësisht një punë të mirë. Për durrsakët, ky ishte barazimi i dytë radhazi, por mund të justifikohen, sepse kishin përballë kundërshtarë mjaft të fortë; Vllazninë dhe “nëndetësen” blu. Në kuadrin e kësaj jave, nesër do të luhet kryesfida Partizani-Vllaznia, në “Elbasan Arena”, pastaj dy ndeshjet përmbyllëse të hënën: Egnatia-Skënderbeu dhe Laçi-Kukësi.

Standings provided by SofaScore LiveScore

Lajme të tjera

Lajmet e fundit