Dy finale të fituara, ja precedentët e Barçës me Manchester United në Champions

15 Mars 2019
13:19
Alfred Lleshi
back button

Manchester United kalon përsëri nëpër rrugën e Barcelonës në Ligën e Kampionëve. Ky është një rival historik, me të cilin Blaugrana-t janë përballur tashmë 11 herë në Europë. Megjithatë, do të jetë hera e parë, që këto dy skuadra përplasen në çerekfinale të kompeticionit madhor të klubeve europiane.

Hera e parë që u takuan ndodhi në çerekfinalet e Kupës Europiane në vitin 1984, kur “Djajtë e Kuq” u kualifikuan, pasi u mundën 2-0 në Barcelonë dhe përmbysën gjithçka në Manchester, 3-0. Të dyja skuadrat luajtën finalen e të njëjtës garë, më 15 maj 1991, ku Manchester United triumfoi 2-1.

Stratistikat negative të katalanasve në Kupën e Europës bëhen shumë pozitive kur ky kompeticion merr emrin Liga e Kampionëve. Dueli i tyre i parë në këtë epokë ishte i dyfishtë, në fazën e grupeve të sezonit 1994-1995. Barazim në “Old Trafford” (2-2) dhe triumf i pastër katalanas në “Camp Nou” (4-0). Ata u përballën edhe në fazën e grupit (1998-1999), me të njëjtat rezultate (3-3) si në Angli, edhe në Barcelonë.

Dueli i fundit në Ligën e Kampionëve u luajt në sezonin 2007-2008, me Frank Rijkaard në stolin e Barcelonës. Blaugrana-t u eliminuan në gjysmëfinale, pasi mbetën pa gola në “Camp Nou” dhe humbën minimalisht në Manchester, në sajë të një goli të Scholes.

Përkundër gjithçkaje, Manchester United nuk duhet të jetë shumë i qetë me kundërshtarin që e përballi shorti i sotëm, sepse dy precedentët më të fundit në kohë janë shumë negativ për ekipin anglez. Kjo ka të bëjë me dy humbje në finale: atë të Romës, më 2009, dhe të “Wembley 2011”. Barcelona, më 27 maj 2009, i mundi 2-0 “Djajtë e Kuq”, me gola të Eto'o dhe Messi (finalja e Romës). 

Finalja e dytë, e konsideruar nga shumë prej njerëzve si ndeshja më e mirë e luajtur nga Barça gjatë kohës së Guardiolës si trajner, ishte ajo e “Wembley”, në vitin 2011. Blaugrana-t fituan të katërtën Ligë Kampionësh në historinë e tyre, duke mundur anglezët në finale 3-1, me gola të Pedro, Messi dhe Villa. Rooney shënoi për Manchester Unitedin. Përtej rezultatit, paraqitja e Barçës më 29 maj 2011 ishte një nga veprat e mëdha të atij ekipi legjendë. 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit