Dy fytyrat e “LuLa”, ja si Interi rezulton të jetë i varur nga Lukaku

22 Shkurt 2020
12:43
Alfred Lleshi
back button

Nesër në mbrëmje, ndaj Sampdoria, ata të dy do të kthehen si çift. Prania e “LuLa” (Lukaku-Lautaro) është jetike, e pashmangshme për Interin. Në Razgrad, në “Europa League”, ata zëvendësuan njëri-tjetrin dhe Interi u “zhbllokua”. Numrat kujtojnë se ka kaluar gati një muaj që nga goli i fundit i Lautaro Martinez, në barazimin 1-1 kundër Cagliari, më 26 janar. Pra, që asokohe, Interi rezulton të jetë i varur nga këmbët e Lukakut. Edhe nëse belgu nuk ka shënuar vetë, të tjerët kanë përfituar nga mundësitë e krijuara prej tij.

Me golin ndaj Ludogorets, Lukaku plotësoi ciklin, duke shënuar në të gjitha garat. Kësaj “rrjete” në “Europa League” i shtohen edhe 2 gola në Champions, 2 gola në Kupën e Italisë, 17 gola në Serie A. Gjithsej; 22 gola në 33 ndeshje. Pra, mesatarisht 0.67 gola për ndeshje. Në shkurt ai ka shënuar 4 gola në 5 ndeshje. Përveç Ludogorets, dy gola me Udinese dhe “vula” në derbin me Milanin. 

Dy herë nuk ka shënuar dhe po aq herë, Interi ka humbur. Dhjetë ditë më parë erdhi humbja në shtëpi me Napolin, që ka vënë në rrezik Kupën e Italisë. E dyta erdhi në shtëpinë e Lazio, ku zikaltrit “rrëshqitën” nga maja e renditjes së Serie A në vendin e tretë, -3 pikë nga Juventusi. Pra, kemi të bëjmë me “Lukaku-varësi” tek Interi.

Lautaro Martinez? Ai duhet të rifillojë me ritmin e humbur prej një muaji e gjysmë, tani. Interi i gjashtë ndeshjeve të fundit të kampionatit ka fituar vetëm dy prej tyre. Sukseset erdhën ndaj Udinese dhe Milanit, të luajtura pa Lautaro Martinez. Skualifikimi, pas kartonit të kuq me Cagliari, e prishi ritmin e argjentinasit. Ai është duke “agjëruar” për gola prej gati një muaji.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit