Dy humbje në dy ditë, Shqipëria e Beqirit mposhtet edhe nga Turqia

15 Janar 2019
12:35
Alfred Lleshi
back button

Dy humbje në dy ditë; kjo është ajo që ka “korrur” Elvin Beqiri me kuqezinjtë e tij në Turqi, në atë që quhet “Mercedes Benz Cup 2019”. Pas disfatës 2-0 të së hënës ndaj Anglisë, Shqipëria U-17 ka pësuar tre gola kësaj here, duke sfiduar pa sukses mikpritësit turq. Ndryshimi i vetëm është se sot, kuqezinjtë tanë 17-vjeçarë e kanë shënuar një gol, nuk kanë mbetur “thatë”.

Madje, kanë shënuar një autogol edhe në portën e vet. Faqja zyrtare e FSHF-së bën këtë njoftim, me këtë rast: “Kombëtarja shqiptare e futbollit U-17, e drejtuar nga Elvin Beqiri, ka humbur sot ndeshjen e dytë të turneut “Mercedes Benz Cup 2019” ndaj përfaqësueses U-17 të Turqisë, me vendin organizator, që ka triumfuar 3-1 përballë kuqezinjve. Shqipëria U-17 zbriti në fushën e lojës me këtë formacion: Roko; Pjeshka; Preka; Tajari; Abazaj; M.Dervishi; Papa; Mitaj; Pengu; K.Dervishi; Miftiu. 

Në pjesën e parë është luajtur një futboll i hapur, duke u shënuar 3 gola, me Turqinë që kaloi në avantazh në minutën e 3-të, me anë të Caglar. Në minutën e 38-të, kuqezinjtë ishin të pafat me Pengun, që shënoi një autogol. Reagimi vjen menjëherë dhe në fundin e pjesës së parë, në minutën e 40-të, kapiteni Mitaj shënon nga penalltia. Me rezultatin 2-1 për Turqinë, skuadrat shkojnë në dhomat e zhveshjes. 

Pjesa e dytë fillon me gol për Turqinë, që i dërgon shifrat në 3-1, me anë të Bayram, me rezultatin që nuk ndryshoi deri në fund, përtej rasteve të të dyja skuadrave. Turneu i kuqezinjve mbyllet më 17 janar, në orën 15:00, me ndeshjen që do të luajnë përballë moshatarëve të tyre nga Moldavia”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit