Dy Sulejmanët tradhtojnë skuadrat e zemrës me… Tironën (video)

22 Shkurt 2020
14:39
Alfred Lleshi
back button

Tirana kapi kreun e Superiores, pas fitores së djeshme me Kukësin. Një përmbysje frenetike e bardhebluve, me ndihmën e Zotit, sipas trajnerit Emanuel Egbo. Duket se 100-vjetori i klubit bardheblu është momenti i duhur për ta rikthyer titullin në shtëpi, aty ku ka shkuar më shumë se kudo tjetër në historinë e futbollit tonë. Plot 24 herë e ka fituar Tirana këtë trofe, të cilin po e ndjek “heroikisht” edhe këtë edicion. Mesa duket, ecuria mbresëlënëse e kryeqytetasve, 8 ndeshje radhazi pa asnjë humbje (vetëm një barazim), i ka bërë “tifozë” me ta edhe “armiqtë”, rivalët, ata që kanë qenë kundërshtarë në fushë, historikisht. 

Diçka e tillë vlen edhe për dy Sulejmanët, Demollarin dhe Starovën, që ia kanë marrë këngës (ahengut tironas) me fizarmonikë. Dhe nuk është këngë dosido, por ajo e Tironës, një himn i vërtetë bardheblu. Në shoqërinë e tyre edhe Edmond Gëzdari, mjaft i njohur në futbollin tonë. Mirë Sulejmani i bluve, se Dinamo e tij mezi po mbijeton në kategoritë inferiore dhe nuk ka përfaqësues në Superiore, por Starova, pse e “tradhton” indirekt Partizanin e tij?! Apo është i përligjur, sepse e “ka kaluar ylberin” më parë, kur u bë trajner i Tiranës, ashtu sikurse një Sulejman tjetër, Mema, “theu akullin”, duke marrë rrugën e kundërt. 

Nëse nuk ka vend për t’i gjykuar në këtë këndvështrim, të tre, bashkë me muzikantin, duket se ia thonë mirë edhe për muzikë. Aq më tepër në lokalet karakteristike tironase, me pak raki, gjizë, qoftë etj… “O Tironë, Tirona, kupa është e jona…”, iu rri bukur në buzë, mund ta vlerësoni të gjithë ju, duke parë videon shoqëeruese të këtij shkrimi.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit