Dy vjet pa dashuri, ikën edhe “arkitekti” Monchi nga Roma

8 Mars 2019
10:34
back button

Roma "zien" dhe pas trajnerit Eusebio Di Francesco, edhe drejtori sportiv Monchi po bëhet gati të largohet.

Sky raporton se spanjolli do të prishë me marrëveshje të përbashkët kontratën e vet me klubin verdhekuq, duke hequr dorë nga dy vitet që i kanë mbetur në Romë.

"Divorci" pritet të zyrtarizohet në orët e ardhshme, sepse gjithçka është përshpejtuar nga largimi i trajnerit (zgjedhje e drejtorit sportiv) dhe nga sherri i Monchit me tifozët në Porto.

Monchi ndërtoi gjithçka te Sevilla, në 16 vjet plot trofe e shitje lojtarësh me shifra fantastike, ndaj Roma bëri një goditje të madhe duke firmosur me të në vitin 2017.

Megjithatë, Italia nuk është Spanja dhe Roma është një "vullkan" gati të shpërthejë në çdo moment, ndaj Monchi ishte nën presion konstant, aq më shumë që nuk funksionuan shumë blerje, si Pastore, Nzonzi, Kluivert, Santon, Schick e Coric këtë sezon, apo Karsdorp e Gonalons vjet, pa harruar shitjet e Salah, Rudiger, Paredes, Alisson e Nainggolan, lojtarë që tifozët i adhuronin.

Tashmë Monchi pritet të firmosë për Arsenalin, për të nisur një projekt të ri me një mik të vjetër të tij, ish-trajnerin e Seviljes Unai Emery.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit