E ardhmja e Asensio te “Los Blancos”, Ancelotti i jep mesazhin e qartë sulmuesit

15 Gusht 2022
11:25
Alfred Lleshi
back button

Pas 2-0 ndaj Eintracht në Superkupën e Europës, Real Madridi e nisi me fitore La Liga-n (sezonin 2022-2023), duke arritur tashmë +2 pikë ndaj Barcelonës. Kjo e fundit u bllokua në shtëpi nga Rayo Vallecano.

Gjithsesi, triumfi 2-1 si mysafir ndaj Almerias ishte më i dhimbshëm se sa pritej, nëse është e vërtetë që deri në minutën e 60-të, kampionët e Europës ishin në disavantazh të golit të shënuar nga Ramezani. Sidoqoftë, pastaj mbërriti përmbysja me golat e Lucas Vazquez dhe David Alaba.

Formacioni alternativ i provuar nga Ancelotti, i cili në fillim hoqi dorë nga Modric dhe Casemiro në mesfushë, duke u fokusuar te dueti Tchouameni dhe Camavinga, nuk i dha përgjigje shumë pozitive trajnerit emilian. Ancelotti u mbështet edhe te Eden Hazard në përpjekje për të përmbysur rezultatin, por jo te Marcos Asensio.

Ky i fundit, të cilit kontrata i skadon në qershor 2023, duket i vendosur të qëndrojë te Reali deri në fund, por “mesazhi” i dërguar nga Ancelotti gjatë ndeshjes së parë të kampionatit duket mjaft i qartë dhe mund ta shtyjë lojtarin të rishikojë pozitat e tij.

Gjatë konferencës për shtyp, trajneri u shpreh i hapur për mundësinë e largimit të Asensio: “Asensio është lojtar i Real Madridit dhe për sa kohë të jetë këtu do ta mbaj parasysh. Ai është një lojtar i rëndësishëm, ka bërë shumë mirë vitin e kaluar, por duhet të presim deri në datën 31 dhe të shohim se çfarë do të ndodhë”.

Asensio, i cili është te Reali nga viti 2016, është aktivizuar prej Ancelottit në 42 ndeshje sezonin e kaluar, por pothuajse të gjitha si zëvendësues. Sulmuesi shënoi një numër të mirë të golave ​​(12), dha asistin vendimtar për Rodrygo (2-1 në ndeshjen e kthimit të gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve kundër Manchester City).

Megjithatë, në hierarkitë e sulmit të bardhë, duket se ka lojtarë të tjerë para tij, siç e pranon në mënyrë implicite Ancelotti: “Vazquez është pjesë e grupit të atyre që janë gjithmonë gati për të luajtur, për të shkuar në pankinë, për të ndihmuar skuadrën. Hazard? Kur hyri ishte i mirë, po stërvitet mirë, mendoj se do të luajë shumë këtë sezon”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit