E ardhmja e Inzaghit tek Interi lidhet ngushtë me këtë gjë, po nuk ia doli do të thotë lamtumirë

27 Janar 2023
10:14
Alfred Lleshi
back button

E ardhmja e pankinës së Simone Inzaghit është krah për krah me kualifikimin në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve. Pa u renditur në “top 4” në fund të këtij kampionati, as Superkupa e Italisë dhe ndonjë sukses i mundshëm në Kupën e Italisë nuk do t’ia shpëtonte detyrën trajnerit aktual zikaltër.

Sigurisht, ka Ligën e Kampionëve për të luajtur kundër Portos, por edhe kualifikimi në çerekfinale nuk do t’ia jepte garancitë e nevojshme për ta mbajtur projektin e tij sportiv në këmbë. Pjesëmarrje në Champions (2023-2024), ose lamtumirë, me pak fjalë.

Kësisoji, Inzaghi është thirrur qartësisht për të ndërprerë lëkundjen e bezdisshme që po prek skuadrën e Interit. Lajmi është bërë i ditur nga “Gazzetta dello Sport”, e cila bën po ashtu një pasqyrë të situatës së Interit të së ardhmes. Në funksion të verës së ardhshme, skuadra zikaltër ka shumë pikëpyetje.

Duke filluar nga Romelu Lukaku, problemet e vazhdueshme fizike të të cilit e pengojnë klubin nga ideja e zgjatjes së huazimit. Gjithçka do të vendoset në fund të sezonit, por nëse belgu rikthehet në atë që të gjithë prisnin, qëndrimi i tij nuk do të rrezikohet.

Nga ana tjetër, ai që me shumë gjasa do të thotë lamtumirë është Denzel Dumfries, i cili pas Botërorit po stonon e vuan gjithnjë e më shumë në krahasim me atë që kishte treguar më parë. Bashkë me të duhet t’i përshëndesë zikaltrit edhe Joaquin Correa, i cili nuk ka “ndezur” kurrë në “San Siro”. Sevilla me siguri do të vihet në gjurmët e tij në verë.

Pastaj kapitulli Skriniar, gjithashtu në pikën e fundit. Sllovaku është i destinuar për në Paris, për t’u kuptuar mbetet nëse do ta bëjë këtë menjëherë apo në qershor. Në këtë pikë, Interi do të preferonte ta shiste atë në këtë sesion të merkatos, sepse në verë e humbet falas. Sa i përket mbrojtjes, klubi zikaltër aktualisht synon të blejë Acerbin, i cili e ka bindur. Përkundrazi, duket se do “t’i jepen duart” Stefan De Vrij.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit