E ardhmja e Piolit dhe Maldinit, presidenti i Milanit “driblon” përgjegjësitë!

1 Qershor 2020
12:13
Telesport
back button

“Më në fund, rinisemi! Dhe shpresojmë ta bëjmë mirë”. Presidenti i Milanit, Paolo Scaroni, në një intervistë të dhënë për “RadioUno” ka prekur disa argumente në lidhje me rifillimin e kampionatit, duke shprehur edhe njëherë pakënaqësinë për kalendarin e çuditshëm që nis me Kupën e cila mbyllet e para si kompeticion…

“Shpresoja që Kupa e Italisë do të ishte zhvendosur në fund, në gusht për shembull… Të kesh dy ndeshje si gjysmëfinale dhe finale pas 3 muajsh pushim, mund të jetë një stres i tepërt për futbollistët. Por, kuptoj që ministri Spadafora donte ndeshjet e para të transmetoheshin falas dhe pa pagesë për të riafruar italianët me futbollin…”.

“Uroj që Juventus-Milan të luhet në datën 12 dhe jo 13, jam optimist. Për sa i përket Ibrahimovic, presim ta shohim në fushë sa më shpejt, lajmet që vijnë janë inkurajuese”. Scaroni, sakaq, nuk do t’ia dijë për zgjidhjet alternative nëse kampionati nuk do të rinisë (playoff, kristalizim i klasifikimit duke ndjekur algoritmin). “Jam i fokusuar te plani A, uroj që nuk do të kemi nevojë për plan B apo C”.

Në fund, presidenti kuqezi ka folur edhe për trajnerin Pioli: “Po bën një punë të shkëlqyer dhe është profesionist serioz. Zgjedhjet teknike dhe organigramës i bën Gazidis. Nuk e di nëse do të vijë një menaxher gjerman, por sot kemi besim te Pioli dhe Maldini”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit