E ardhmja e Skënderbeut, dy rrugë të detyruara për Takajn dhe bashkinë

12 Korrik 2019
14:20
back button

Tashmë që edhe CAS ka konfirmuar përjashtimin e Skënderbeut për 10 vite nga kupat e Europës (mbetet apeli urgjent në Gjykatën Federale në Zvicër, por zor se ndryshon gjë, sepse bëhet fjalë që merret me procedurat dhe respektimin e tyre), klubi korçar është në një udhëkryq të madh dhe 9 vite pas ringritjes së jashtëzakonshme mund të kthehet sërish në skëterrë.

Pa milionat e kupave të Europës nuk bëhet më fjalë që Ardian Takaj të ketë mundësi të përballojë shpenzimet kolosale të klubit, ndërkohë që edhe bashkia Korçë nuk i shton dot fondet.

Për këtë arsye, Skënderbeu tashmë ka vetëm dy rrugë, nëse nuk përjashtohet edhe nga Superiorja, skenar që është i mundur.

Së pari, Ardian Takaj mund të vijojë të qëndrojë në krye të klubit korçar, për shkak se ka investuar aq shumë aty, saqë me të drejtë konsiderohet pronar, edhe pse jo 100%. Për këtë arsye, Takaj mund të ndërtojë një klub me shpenzime minimale, duke u bazuar tek të rinjtë e talentuar dhe duke mos paguar askënd më shumë se 1500-2000 euro në muaj, duke tentuar të përgjysmojë buxhetin në krahasim me vitet e shkuar. Natyrisht, kjo do të ndodhë vetëm nëse Bashkia do ta mbështesë, duke mbuluar një pjesë të shpenzimeve.

Së dyti, ekziston mundësia (shumë pak gjasa) që Takaj të largohet dhe klubi t'i mbetet bashkisë, që është edhe aksionere dhe konsiderohet pronare e stemës dhe aseteve. Bashkia mund të vijojë ta mbajë klubin gjallë me një fond 300-400 milionë lekë, nëse nuk afrohet asnjë biznesmen tjetër, por natyrisht do ishte një mision i pamundur, pasi ai lloj buxheti zor se siguron mbijetesën.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit