E BUJSHME! Italia në shtëpi, Totti dhe Mancini në… Botërorin e Katarit

29 Qershor 2022
9:20
Alfred Lleshi

Kanë mbetur pak më shumë se pesë muaj deri në Botërorin e parë të vjeshtës në histori, që do të zhvillohet në Katar. Megjithatë, Italia nuk do të jetë pjesë e kompeticionit botëror të kombëtareve, e eliminuar dhimbshëm në “play-off” nga Maqedonia e Veriut.

Një goditje shumë e rëndë për axurrët, të cilët për të dytin edicion radhazi janë të detyruar të luajnë rolin e spektatorëve melankolikë. Në shtëpinë e “Rai”, pavarësisht dështimit të kombëtares për të shkuar e luajtur në Katar, po bëjnë përgatitjet e duhura për transmetimin e eventit të madh.

Drejtoresha e “Rai Sport” Alessandra De Stefano prezantoi orarin për vjeshtë-dimër 2022: “Do të na mungojë Italia, por topi nuk ndalet, madje as sfidat e mëdha. Dhe ‘Rai Sport’ nuk mund të mungonte në Katar”. Fjalët e saj transmetohen nga “Leggo”.

Transmetuesi kombëtar italian, si zakonisht, do ta pasqyrojë ngjarjen globale. Me rastin e fillimit të Botërorit të Katarit, “Rai” pret me padurim mundësinë dhe ëndrrën për të rekrutuar dy komentues të jashtëzakonshëm në ekipin e vet.

“Francesco Totti, nëse do të donte të komentonte ndeshjet e Kupës së Botës me ne, do të isha e kënaqur”, – thotë drejtoresha. Për ta “skanuar” Botërorin e këtij viti para publikut italian nuk do të jetë vetëm ish-kampioni dhe flamuri i Romës. Shpresa, në fakt, është që trajneri Roberto Mancini të lidhet direkt për analizat pas ndeshjeve.

Dy emra prestigjiozë, dy ekselenca absolute të lëvizjes lokale futbollistike, gati për të zbukuruar historinë e ngjarjes më të rëndësishme të futbollit në botë. Edhe pse me Italinë spektatore…

Lajme të tjera

Lajmet e fundit