E BUJSHME! Klubi nxjerr blof FSHF-në: Ramadani u izolua në Shqipëri, është me Covid-19

12 Shtator 2020
15:40
Alfred Lleshi
back button

E bujshme! Ylber Ramadani, që u grumbullua nga kombëtarja jonë kuqezi për dy kualifikueset e shtatorit, në Ligën e Kombeve, por nuk luajti dot, me justifikimin se ishte i dëmtuar, rezulton i infektuar me Covid-19. Këtë fakt, mesfushori e dinte që kur ishte me kuqezinjtë, por konfirmimi vjen nga Danimarka. Pra, gjasat janë që ish-lojtari i Partizanit të ketë munguar pikërisht për këtë shkak në sfidat ndaj Bjellorusisë dhe Lituanisë, edhe pse FSHF ngulmoi, duke nxjerrë edhe testin e tamponit, se kjo nuk ishte e vërtetë.

Në një situatë të tillë, gjasat janë që tamponi i tij të ketë qenë fals negativ, sikurse ndodh edhe shkencërisht, ose infeksioni nuk është kapur ato ditë, kur është testuar në Tiranë, kur nisi grumbullimin me kombëtaren. Ka dhe një variant të tretë, që pozitiviteti i tij të mos jetë treguar për publikun. Me të mbërritur në klubin e tij, Ramadani ka pohuar daljen pozitiv, sipas rregullave strikte atje. Këtë e zbulojnë mediat daneze:

“Klubi i futbollit Vejle duhet të bëjë pa Ylber Ramadanin në ndeshjen e parë të Superligës, pas ngjitjes në këtë kategori. Shqiptari është infektuar me koronavirus, ndërsa ishte në një udhëtim në vendin e tij, për të qenë pjesë e kualifikueseve të ekipit kombëtar. Ai ishte regjistruar si i infektuar në Shqipëri, ku qëndroi në izolim për një javë. Tani është në Danimarkë, por nuk lejohet ende të luajë në kategorinë e futbollit më të mirë danez.

“Ai rezultoi i infektuar një javë më parë, – thotë për gazetën menaxheri teknik i klubit, Jacob Krüger. – 24-vjeçari ka qenë pa simptoma gjatë gjithë grumbullimit me kombëtaren e tij, është përsëri në terrenin stërvitor, por duhet t’i nënshtrohet një programi rehabilitimi, para se të mund të marrë pjesë në një ndeshje”.

Dy herë më parë, Vejle është dashur të raportojë lojtarë pozitivë me koronavirus. Suedezi Diego Montiel dhe ukrainasi Sergiy Gryn janë prekur të dy nga Covid-19”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit