E BUJSHME! Kuqezinjtë e Shqipërisë mund të sfidojnë Steven Gerrard më 27 mars

12 Janar 2023
8:30
Alfred Lleshi
back button

Pasi euforia fillestare e ardhjes së Steven Gerrard në stolin e Aston Villa u shua, realitetet e jetës në një klub në vështirësi u shfaqën dhe nuk kaloi shumë kohë para se të bëhej “kurban” koka e tij. Një skuadër pa drejtim në fushë, me shqetësime për lëvizjet jashtë kuadratit të blertë, përfshirë nënshkrimin e përhershëm të Philippe Coutinho…; këto fakte mjaftuan që klubi anglez të ndahej me 42-vjeçarin në tetor.

Gerrard duket se ka vendosur të mos angazhohet në stolin e tij të radhës, në vend të kësaj të kalojë kohë me familjen dhe madje t’iu kthehet angazhimeve mediatike mbi Liverpool-in. Kjo mund të ndryshojë, sipas gazetës polake “Meczyki”, e cila pretendon se tani i është ofruar posti vakant si trajner i ekipit kombëtar të Polonisë.

Kujtojnë se ky është kundërshtari në grup i kuqezinjve tanë, me të cilin do të ndeshemi qysh në ndeshjen hapëse të grupit E, më 27 mars 2023. Pra, sipas të gjitha gjasave, trajneri i ri Sylvinho do ta nisë aventurën shqiptare pikërisht ndaj ish-kapitenit të Liverpool-it dhe liderit të Anglisë, Steven Gerrard.

Me kontratën e Czeslaw Michniewicz që nuk u zgjat përtej Kupës së Botës 2022, stoli i kombëtares polake është bosh nga 1 janari dhe kandidatë si Roberto Martinez e Vladimir Petkovic kanë qenë të lidhur me të. Megjithatë, “Meczyki” pretendon se e ka zbuluar Gerrard-in si objektiv kryesor për Federatën Polake të Futbollit, me bisedimet që filluan disa ditë më parë.

Gerrard tani thuhet se ka “menduar pranimin e ofertës”. Ky “stacion” do të ishte i treti i tij si trajner, pas periudhave me Rangers dhe Aston Villa. Në drejtimin e një kombëtareje do të ishte hera e parë, ashtu sikurse është për Sylvinho në krye të kuqezinjve.

Sugjerohet se pagesa “astronomike” që i detyrohet Aston Villa atij nga ndërprerja e njëanshme e kontratës mund të jetë pengesë në marrjen e postit. Shkurtimisht, nuk ka asnjë nxitje reale financiare për Gerrard që të marrë vendin e punës në Poloni, edhe pse thuhet se federata e këtij vendi ka ndarë mënjanë “para rekord” për trajnerin e ardhshëm.

Marrja e ekipit kombëtar të Polonisë sigurisht që do të ishte një hap i madh për ish-mesfushorin e Liverpool-it, që mund të shihet edhe si një devijim nga ambiciet e tij në nivel klubi. Duke pasur parasysh goditjen e reputacionit të tij pas dështimit tek Aston Villa, ky shans mund të shërbejë gjithashtu për të përmirësuar imazhin si trajner.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit