E BUJSHME! Real Madridi po akumulon para në pritje të përjashtimit nga Champions League

23 Shtator 2022
9:15
Alfred Lleshi

Çështja e Superligës, më shumë se një vit pasi u njoftua dhe u la mënjanë po aq me nxitim, vazhdon të mbajë pezull shumë shpirtëra. Jo aq për çështjen ligjore, sepse Gjykatës Evropiane të Drejtësisë do t’i duhet ende pak kohë për të përcaktuar nëse monopoli i UEFA-s në garat e futbollit justifikohet.

Ajo që bën zhurmë janë thashethemet që vijnë nga Spanja dhe që kanë të bëjnë me Real Madridin. “Los Blancos” janë promotorët kryesorë të projektit, me Florentino Perez që vazhdon të përsërisë në çdo mënyrë se herët a vonë Superliga do të bëhet, sepse është e vetmja mënyrë për të shpëtuar futbollin. Tashmë po filtrohen zërat se kampionët e Europës në fuqi po përgatiten edhe për skenarin më të keq.

Cilin? Përjashtimi nga Champions League për një ose disa sezone. UEFA, asnjëherë nuk e ka fshehur dëshirën për të ndëshkuar klubet “ngurruese”, pra Realin, Barcelonën dhe Juventusin, që nuk janë dorëzuar asnjëherë para fundosjes së menjëhershme të Superligës. Dhe nga ajo që shpjegon “Vozpopuli”, të bardhët po kursejnë para për të përballuar atë që do të ishte arma më e mirë për federatën kontinentale, pra skualifikimi i klubit nag Champions-i.

Pavarësisht krizës, Real Madridi vijon të rrisë burimet që disponon në arkat e klubit, të cilat aktualisht arrijnë në 780 milionë euro. “Real Madridi grumbullon kapital të mjaftueshëm për të përballuar një sezon të tërë me të njëjtat shpenzime aktuale, por pa mbledhur një euro. Përkundrazi, mund të avancojë edhe diçka”.

Të mos mbledhësh asgjë, padyshim që do të thotë të mos marrësh as të drejta televizive dhe as çmime nga Champions League, e cila ka qenë gjithmonë një “vend gjuetie” për Realin. Por, nëse UEFA zgjedh “grushtin e fortë”, përjashtimin nga Liga e kampionëve, “Los Blancos” po punojnë shumë për të mos u kapur të papërgatitur.

“Përpjekja ka qenë për të reduktuar borxhin në minimum, i cili siguron kredi cilësore dhe mundësinë e garancive në të ardhmen. Menaxhmenti punon me synimin për të dyfishuar vlerën e klubit deri në vitin 2025 dhe ristrukturimin e ‘Bernabeu’. Flamurtarët e Superligës po punojnë në këtë drejtim. Faturimi vjetor i Realit mund të dyfishohet në një afat të shkurtër dhe ta kalojë shumë miliardin”.

Për disa, megjithatë, mund të lindë edhe një dyshim: nëse spanjollët arrijnë të fitojnë kaq shumë edhe në një moment krize, për çfarë shërben Superliga? Kush e di, ndoshta Florentino mund ta shpjegojë këtë…

Lajme të tjera

Lajmet e fundit