E bujshme! Ronaldo i propozon Juves dy emra të mëdhenj për trajner

18 Maj 2019
15:11
Alfred Lleshi
back button

Është dita e "lamtumirës" së Massimiliano Allegrit nga Juventusi. Pas njoftimit të "divorcit" nga klubi bardhezi, trajneri livornez ka dalë sot në një konferencë shtypi të përbashkët me presidentin Agnelli. Ndërkohë, shumë emra kanë nisur të qarkullojnë për stolin e “Zonjës së Vjetër”. Midis tyre, sipas medias italiane, Cristiano Ronaldo ka shprehur dy preferenca të veçanta. 

Sipas “Libero”, kampioni portugez i ka sugjeruar klubit dy emra, mbi të gjithë: Carlo Ancelotti dhe Josè Mourinho. Fjala është për dy trajnerët e tij të mëparshëm, në kohën e Real Madridit. Situata e trajnerit të njohur italian është shumë e komplikuar, sepse në mënyrë të vendosur është i lidhur me stolin e Napolit, me një kontratë deri më 2021. Pra, Ancelotti është i blinduar nga klubi napoletan, përveç ndonjë kthese të bujshme e të papritur. 

Ideja e “Special One” në stolin e Juventusit është sa e çuditshme, edhe sugjestionuese, pas të kaluarës së madhe që ka pasur ai me Interin (ka fituar tripletën). Megjithatë, Juventusi duket se po shqyrton dy zgjidhje të tjera: Ten Hag dhe Pochettino, protagonistë të paraqitjeve të shkëlqyera europiane në Ligën e Kampionëve me Ajax dhe Tottenham, respektivisht.

Argjentinasi pëlqehet nga Nedved dhe Paratici, por për momentin nuk është zgjedhje e parë (gjithashtu dhe mbi të gjitha për pagën prej 20 milionë euro në vit), ndërsa në orët e fundit, emri i Ten Hag po fillon të qarkullojë fuqishëm, pavarësisht dhimbjes që iu shkaktoi bardhezinjve me eliminimin në çerekfinale të Champions-it.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit