E bujshme: Sadiku ndryshon skuadër, bën “prapa-kthehu”

10 Dhjetor 2018
16:39
Eraldo Harlicaj
back button

Mediet zvicerane lëshojnë një lajm të bujshëm në lidhje me sulmuesin e kombëtares shqiptare, Armando Sadiku. Elbasanasi lidhet me një rikthim te skuadra e Lugano-s në janar, sipas “Corriere del Ticino”. Ideja e bashkimit të rrugëve sërish nuk shihet mision i pamundur për ish-klubin e 27-vjeçarit.

Lidhja emocionale dhe miqësore mes palëve ekziston, pasi Sadiku ka luajtur me Luganon nga viti 2012 deri në vitin 2014 dhe sërish në pranverën e 2017. Drejtuesit kanë mendime mjaft të mira për sulmuesin e Shqipërisë, pasi ky i fundit ka shënuar 38 gola në 62 ndeshje me fanellën e zviceranëve mes Superligës dhe Ligës së Parë.

Sadiku nuk do ta eliminonte një rikthim te Lugano, pasi ai po rikthehet nga dëmtimi i rëndë që pësoi në gju. Hapësirat te Levante do të jenë shumë të pakta për të, për mos thënë nuk do të ketë fare. Elbasanasi luajti shumë pak dhe kur nuk ishte i dëmtuar, ndërsa pas problemeve që kaloi do të ketë më pak shanse, pa harruar faktin se Levante është një nga surprizat e sezonit. Ekipi i shqiptarit nuk po lufton për mbijetesë, por për Kupat e Europës, momentalisht në vendin e 6 në La Liga.

Te Lugano, Sadiku do të kishte hapësira dhe minuta për të marrë veten dhe mund të shënonte gola që mund t’i kthenin besimin. Ekipi zviceran e do në formë huazimi dhe më pas shqiptari do të kthehej në qershor në Spanjë gati për të luftuar për një vend në skuadër. Një pistë intrigante, por mbetet për t’u parë nëse do të realizohet.

Telesport është krenar që bashkëpunon me Krowd9, një aplikacion fantastik i futbollit për shqiptarët! Shkarkojeni > bit.ly/krowd9 për video me përmbledhje ndeshjesh, njoftime të menjëhershme për golat dhe të gjitha lajmet e Telesport! Krowd9 është i përdorshëm në shqip, italisht dhe anglisht.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit