“E çuditshme të garosh pa tifozë, por koronavirus zgjati karrierën time”

25 Qershor 2020
15:14
Telesport
back button

Piloti australian Daniel Ricciardo, një nga veteranët e Formula 1, pret me padurim nisjen e sezonit 2020, start që do të ndodhë më 5 korrik në Austri. Ai do të mbyllë këtë sezon aventurën 2-vjeçare me Renault dhe nga viti 2021 do të garojë me makinën McLaren.

Ky nuk ka për të qenë një sezon shumë normal, pasi ende nuk dimë se sa gara do të zhvillojmë. Unë nuk do të kursehem në pistë, do të garoj si gjithnjë dhe jo duke bërë llogari. Shumë do të garojnë duke menaxhuar mundësitë e tyre, sidomos ata që kanë një makinë më të mirë”, tha Ricciardo.

Më tej, australiani shton: “Do të jetë një sezon ku do të garojmë pa tifozë dhe kjo është e çuditshme. Kur jemi në makinë, gjatë një gare nuk e ndjejmë shumë këtë mungesë, pasi përqendrohemi te pista dhe e dimë që gabimi është fatal. Por atmosfera që gjeneron publiku do të na mungojë”.

Duke folur për situatën e krijuar, Ricciardo tha: “Pasi u anullua gara e Australisë u ktheva në shtëpinë time, në Perth. U relaksova fizikisht e mendërisht, pa udhëtime. Kjo periudhë më ka zgjatur padyshim karrierën time, pasi jam më në formë se kurrë, i qetë psikologjikisht dhe me një të ardhme të sigurt, do të garoj për McLaren”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit