E donin Interi dhe Chelsea, Mertens i befason të gjithë me vendimin e marrë

19 Maj 2020
9:32
Alfred Lleshi
back button

Lamtumira nga Napoli dukej shumë afër, por tani aventura e Dries Mertens rrëzë Vesuvius do të vazhdojë për të paktën edhe dy vite. Sulmuesi belg në fakt ka gjetur një marrëveshje me klubin e De Laurentiis për rinovimin e kontratës deri në vitin 2022.

Sipas asaj që raporton “Sky Sport”, Mertens ishte i kënaqur nga Napoli: u arrit një marrëveshje për nënshkrim, teksa e zeza mbi të bardhë do të hidhet brenda orëve të ardhshme. Zërat e merkatos që e dëshironin atë larg ngjyrave blu, në Milano apo Londër, janë mjegulluar.

Në fakt, në gjurmët e lojtarit belg kanë qenë Interi dhe Chelsea, të cilët ditët e fundit kishin ndërmarrë hapa të rëndësishëm, por presidenti De Laurentiis i sfidoi të gjithë befasisht, kur dukej që marrëdhëniet ishin ftohur plotësisht.

Rritja e premiove në kontratën e re do t’i sjellë Mertens rreth 4 milionë euro neto në sezon, e njëjta shifër që i kishte vënë Interi në pjatë. Gjithashtu, i rëndësishëm ishte roli i Rino Gattuso, i cili bëri presion që klubi të bënte një hap të mëtejshëm përpara për të kënaqur një sulmues, që konsiderohet shumë i rëndësishëm në projektin e tij si trajner.

Kështu, Dries preferoi menjëherë të vazhdojë aventurën e tij të gjatë në Napoli, ku tashmë është një idhull i fansave. Detajet e fundit mbeten për t’u zbardhur, por marrëveshja tani është e kryer. Mertens do të qëndrojë në shtëpi…

Lajme të tjera

Lajmet e fundit