E JASHTËZAKONSHME! “Mbreti i ajrit” në Serie A është një shqiptar

19 Nëntor 2019
15:04
Alfred Lleshi
back button

E nisi karrierën në fushat e përbaltura të Kosovës, pastaj ra në sy si profesionist i vërtetë te Partizani. Kufirin kombëtar e kaloi për herë të parë kur vendosi të transferohej në Kroaci, te Dinamo e Zagrebit (u huazua edhe te Lokomotiva). Verën e këtij viti bëri kapërcimin e madh, duke iu bashkuar Hellas Verona në Serie A, ku është titullar i padiskutueshëm. Sa iu përket kombëtareve, e nisi me Shqipërinë U-21, pastaj edhe me kuqezinjtë e mëdhenj, derisa ish-trajneri De Biasi vendosi të mos e marrë me vete në finalet e “Euro 2016”. 

Sikurse është provuar më vonë, ai dhe Milot Rashica ishin dy gabimet më të mëdha të italianit, që na dërgoi për herë të parë në histori në finalet e një Kampionati Europian. Ky zhgënjim bëri që ata të shkojnë te Kosova, ku të dy po shkëlqejnë. Rrahmani është kapiten i “Dardanëve”. Presidenti i FSHF-së, në një intervistë të sotme për “Corriero dello Sport”, duke folur për futbollistët shqiptarë në Itali, nënvizoi ndër të tjera: “Mëkat i madh që Rrahmani nuk është pjesë e Shqipërisë”.

 Në fakt ishte, por De Biasi nuk i vlerësoi sa duhet aftësitë e tij. Tani po ia sheh hajrin Kosova, ashtu si Hellas Verona, që ka mbrojtjen e dytë më të mirë në Itali për momentin (11 gola të pësuar), mbas Juventusit. Me siguri, falë edhe sigurisë e vendosmërisë së Rrahmanit, që në luftën ajrore është i paarritshëm nga cilido tjetër koleg i Serie A. Ka qenë “Gazzetta dello Sport”, ajo që e ka kurorrëzuar “mbretin e ajrit” kapitenin e kombëtares kosovare ditën e sotme, në versionin e saj print, pas kalkulimeve të bëra në këtë drejtim. 

Në seksionin ”duele fitimtare ajrore”, Rrahmani është më i miri në Serie A. Ai, me saktësinë 79% lë pas vetes emra të tillë si Smalling (Roma), Romagnoli (Milan) etj. Shikoni grafikun më poshtë dhe mund të kuptoni vlerat e një xhevahiri të vërtetë, për të cilin ish-trajneri kuqezi është mëkatari më i madh. Duka e “qan” humbjen e tij, ndërsa Kosova, Hellas Verona, por edhe krejt Serie A, mburret me të.  

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit