E kryqëzoi e qeshura në Lazio-Milan, letra publike e Acerbit: Nuk jam robot, por futbollist serioz dhe besnik

27 Prill 2022
11:52
Alfred Lleshi
back button

E qeshura e kapur nga kamerat menjëherë pas golit vendimtar të Tonalit tërhoqi një lumë kritikash ndaj Francesco Acerbit. Pati nga ata që e akuzuan për mungesë angazhimi ndaj ish-skuadrës së tij deri te kritikuesit klasikë që nuk mungojnë kurrë.

E pra, pas dy ditësh reflektimi, mbrojtësi i Lazios vendosi të thyejë heshtjen, duke ia besuar mendimet e tij një letre të publikuar nga ‘Corriere dello Sport’. Aty zbulon edhe problemet personale që e mundojnë prej disa kohësh:

“Ndeshja kundër Milanit ishte për të gjithë një përzierje emocionesh dhe zhgënjimesh. Dhe kështu, pas një reagimi fillestar të diktuar nga instinkti, vendosa të marr 48 orë kohë për të reflektuar dhe për të gjetur fjalët e duhura. Tani po i ndaj mendimet dhe ndjenjat e mia me zemër të hapur. Nuk pres që të hesht kritikët, por shpresoj që të paktën të dëgjohem dhe të mirëkuptohem.

Fatkeqësisht, prej disa muajsh po përjetoj një situatë në nivel personal që nuk e prisja kurrë. Kam një ndjenjë vetmie që më lëndon njerëzisht. Me këtë nuk dua t’i drejtoj gishtin askujt; është ndjenja ime personale që sigurisht nuk mund të më lërë indiferent, brenda dhe jashtë fushës. Por në një moment vështirësie, familja ime më jep ekuilibër dhe qetësi për të përballuar gjithçka me kokën lart.

Diçka e zakonshme ndaj futbollistëve është se puna dhe të ardhurat tona na bëjnë të imunizuar ndaj gjendjeve emocionale, pozitive dhe negative, që karakterizojnë normalitetin e një qenieje njerëzore. Dhe për këtë arsye ne priremi ta gjykojmë lojtarin sikur ai të mos kishte emocione dhe ndjenja, të cilat në punën tonë shpesh janë shumë të forta dhe konfliktuale. Ne shumë shpesh bëjmë gabime, sepse jemi qenie njerëzore, është e drejtë ta kujtojmë gjithmonë këtë”.

Dyshimet për integritetin e tij moral e kanë shqetësuar shumë Acerbin: “Nuk jam larguar asnjëherë nga detyrat dhe përgjegjësitë e mia, sepse jam burrë dhe baba i një familjeje, para se futbollist. Për këtë arsye kam pranuar gjithmonë barrën dhe nderimet e punës sime, duke e ditur mirë që kritikat për shfaqjet në fushë janë pjesë e lojës.

Ato që nuk mund t’i pranoj janë konkluzionet për integritetin tim personal dhe profesional, për seriozitetin tim dhe për angazhimin në mbrojtje të ngjyrave të Lacios, me ose pa shiritin e kapitenit. Pas ndeshjes kundër Milanit lexova dhe dëgjova insinuata absurde që nuk mund dhe nuk dua t’i pranoj. Dhe thjesht fakti i të qenit këtu për të mbrojtur integritetin dhe profesionalizmin tim më lëndon thellë. Unë nuk jam perfekt, nuk jam robot, por jam një person serioz dhe një futbollist besnik. Pra, ne as nuk duhet të debatojmë për këtë”.

Pavarësisht gjithçkaje, është e pamundur të fshihen të gjitha të mirat e bëra vitet e fundit me fanellën e Lazios: “Nuk e harroj çdo moment të këtyre viteve te Lazio, në të cilën kam përfaqësuar një pikë referimi dhe kam marrë vlerësime, dashuri e mbështetje. Ia kam dalë të mbaj me krenari shiritin e kapitenit. Këto kujtime do t’i mbaj gjithmonë me vete, asnjë kritikë apo kundërshtim nuk mund të zhbëjë gjithçka që kam ndërtuar vitet e fundit.

Natyrisht që më vjen keq për gjithçka që ka ndodhur në të kaluarën dhe për tensionet që janë ngritur në periudhën e fundit. Kam kërkuar disa herë falje për episodet në të cilat kam bërë disa gabime, për impulsivitetin e tepruar dhe mungesën e qartësisë.

E ardhmja, për sa më përket mua, është ndeshja e radhës me fanellën e Lazios, fanellë të cilën e kam nderuar dhe e kam veshur gjithmonë me krenari. Do të doja që të gjithë së bashku të mund të kthenim faqen, të paktën ta mbyllim sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme, me dinjitet dhe respekt të ndërsjellë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit