E mundën dhe e ironizojnë keq Gjermaninë, maqedonasit “shtetëzojnë” Timo Werner

1 Prill 2021
14:42
Alfred Lleshi
back button

Padyshim që nuk është një sezon i mirë, ky që po përjeton Timo Werner. Sulmuesi i Chelsea ishte titullar në përplasjen e mbrëmshme të Gjermanisë me Maqedoninë e Veriut, në fazën kualifikuese për Kupën e Botës “Katar 2022”, e cila përfundoi me disfatën turpëruese të katër herë kampionëve të botës (2-1). Sidoqoftë, gjithçka mund të kishte qenë ndryshe, nëse sulmuesi në fjalë do të kishte finalizuar një shans të qartë, kur ndeshja ishte në barazim 1-1. Timo bëri një rrëmujë dhe nuk arriti të shënonte thuajse me portën bosh. Më tej, Elmas do t’iu jepte goditjen fatale të besuarve të Low në 84′.

Ky gabim nuk ka kaluar pa u vërejtur në Maqedoninë e Veriut ,e cila mori një fitore historike dhe pozicionohet e dyta në grup, pas Armenisë, përpara “Mannschaft”, edhe pse kanë pikë të barabarta, nga 6 të tilla. Kështu, në shenjë falënderimi për shërbimet e ofruara, një gazetë lokale i ka dhënë Werner “shtetësinë” (letërnjoftim) maqedonase, siç raportohet nga gazetari Marco Mader në llogarinë e tij në Twitter.

Ky “shtetëzim” ironik ka shkaktuar një tërbim edhe te tifozët gjermanë. Përgjigjet kanë qenë një përzierje midis dufit dhe kritikave, por shumica janë përqendruar në mungesën e golit për Werner. Ai nuk ka shënuar gol me kombëtaren qysh kur ndryshoi RB Leipzig për Chelsea. Këtë sezon, ai po lufton për ta gjetur golin edhe në “Stamford Bridge”, madje është përfolur se klubi londinez është gati ta përfshijë në marrëveshje për të marrë Haaland. Diçka që Timo ka refuzuar ta bëjë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit