E pabesueshme në Schalke-City, penalltia u dha nga një… kamion

21 Shkurt 2019
14:32
Denis Hakanaj
back button

Mirë se erdhe në Champions, VAR! 

Debutimi i teknologjisë në kompeticionin europian më të rëndësishëm për klube është shoqëruar me shumë polemika. VAR ka qenë protagonist në ndeshjen e luajtur mes Schalke-s dhe Manchester City-t. Një penallti, një gol në pozicion jashtë loje (ndoshta) i anuluar dhe një ndjesia se teknologjia do të ketë një jetë shumë të vështirë në Europë, ku fatet e skuadrave vendosen brenda 90 minutave dhe të gjithë janë nën presion.  

Carlos Del Cerro Grande ka qenë arbitri i një ndeshjeje që, të paktën në letër, nuk duhej të kishte histori. Në fushë gjërat kanë shkuar ndryshe, me Schalke-n që ka luftuar deri në fund. Madje, gjermanët kanë përfituar edhe nga disa vendime të favorshme. Kur ndeshja ka qenë 0-1, një goditje e Caliguri-t është devijuar nga krahu i Otamendi-t. 

Arbitri spanjoll nuk e ka konsideruar të nevojshme ndërhyrjen e teknologjisë, por gjithsesi VAR e ka informuar. Loja është ndërprerë dhe të gjithë kanë pritur të ndjekin skenën e zakonshme, por Del Cerro nuk ka shkuar të verifikojë atë që ka ndodhur te monitori. Pse? Sepse nuk funksiononte. Si është e mundur një gjë e tillë? 

Siç ka bërë të ditur "AS", arbitrat e VAR nuk kanë qenë në stadium në  këtë rast, por në një kamion të parkuar jashtë impiantit. Në këto kushte, është e pamundur që të mos ketë ndonjë problem dhe Del Cerro ka vendosur vetë pa ndihmën e teknologjisë. 

Një situatë e pabesueshme. Gjatë kësaj kohe kanë kaluar plot tre minuta, pak si shumë, por ishte e pashmangshme, duke parë se arbitri duhej të mbante të qetë lojtarët, të komunikonte me kamionin dhe në fund të merrte një vendim. 

Gjithsesi, vendimi i tij për ta dhënë penalltinë ka qenë i drejtë. Në fund, City ka arritur të fitojë 3-2 pavarësisht inferioritetit numerik dhe dy penalltive kundër. Një nga të cilat do të mbetet në histori. 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit