Për trajnerin Pep Guardiola, triumfi në finalen e Champions League është një çështje prestigji për këtë skuadër, që nuk e ka fituar kurrë këtë trofe. “Shumë klube kanë shkatërruar projekte dhe ide pasi nuk kanë arritur që të fitojnë këtë kompeticion apo janë bërë klube të mëdhenj pasi kanë triumfuar në Champions”, tha Guardiola.
“Gjithçka që kemi bërë në këto vite ka qenë e shkëlqyer dhe do të ketë kuptim për të tjerët vetëm nëse fitojmë në Champions League. Nëse nuk do të fitojmë, atëherë gjërat do të kenë më pak kuptim. Do të jetë disi e padrejtë, por do ta pranojmë atë fakt”, tha më tej trajneri spanjoll. Manchester City luan në finale ndaj Inter.
“Nuk ka rrugë të mesme, jemi të detyruar ta fitojmë Champions League. E rëndësishme është edhe që të jemi aty çdo vit. Edhe para dy vitesh ishim në finale por humbëm, këtë vit do ta provojmë sërish ta fitojmë. Fakti që jemi në finale tregon se jemi një klub i madh, në sport nuk ka falimentim”, u shpreh Guardiola.
“Do të shkojmë në Stamboll për të realizuar një ëndërr dhe të bëjmë një ndeshje të mirë. Do ta përgatisim këtë ndeshje ashtu sikurse bëjmë gjithnjë në Premier League. Lojtarët do të jenë të përqendruar në atë që duhet të bëjnë. Si trajner kam shkuar në 3 finale Champions dhe fituar 2, tani është hera e katërt”, tha Guardiola.
“Nga ky kompeticion kam marrë më shumë se sa imagjinoja, por duhet të jesh ambicioz që të fitosh. Humbja e finales dy vite më parë apo eliminimi vjet në gjysmëfinale kanë qenë momente të trishtueshme për mua, që do t’i kujtoj gjithnjë, por kam edhe momente të bukura. Kështu funksion jeta dhe sporti”, tha Guardiola.