E refuzuan 6 vite më parë, tani e blejnë gati 20 herë më shtrenjtë

15 Korrik 2019
18:33
Telesport
back button

Skuadra e Manchester United është pranë mbylljes së marrëveshjes për të sjellë në “Old Trafford” mbrojtësin e Leicester, Harry Maguire. Ky transferim pritet të kryhet për shumën e 89 milionë eurove, duke u bërë mbrojtësi më i shtrenjtë në histori, duke kaluar edhe Virgil Van Dijk.

Gjithsesi, drejtuesit e Manchester United sot janë duke i rënë kokës me grushte për këtë pagesë kaq të shtrenjtë. Disa vite më parë lojtari mund të transferohej për vetëm 5 milionë euro. Ai që kishte piketuar Maguire ishte Sir Alex Ferguson, në sezonin e tij të fundit si trajner i United.

Mbrojtesi Harry Maguire

Sipas të përditshmes britanike “Daily Mirror”, pasi u largua, Ferguson ia la shënim emrin e lojtarit drejtuesve të klubit si dhe pasuesit të tij David Moyes. Ky i fundit ishte dakord me këtë transferim, por ata që dolën kundër ishin drejtuesit e klubit.

Asokohe, Harry Maguire luante me Sheffield dhe transferimi i tij tek United do të kushtonte vetëm 5 milionë euro. Gjithsesi, United nuk pranoi, Maguire kaloi më pas tek Hull City për 3 milionë euro dhe më vonë tek Leicester për 14 milionë.

Sot, Maguire do të transferohet te Manchester United për 89 milionë euro, gati 20 herë më shumë se para 6 vitesh. Kjo ndodh kur klubi nuk dëgjoi këshillën e Ferguson, tashmë United do ta paguajë me flori lojtarin që prej një viti kërkohet me ngulm.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit