E shpëtoi nga humbja, Mourinho ka gati dhuratën për 18-vjeçarin: Do t’i blej këpucë 800 euro…

22 Nëntor 2021
9:17
Alfred Lleshi

Felix shpëtoi Romën. I aktivizuar në minutën e 75-të në vend të Shomurodov, 18-vjeçari ishte lojtari i ndeshjes me dy golat e shënuar në çerekorëshin e fundit, teksa i dha tri pikët skuadrës së Mourinhos. Djaloshi ganez u bë lojtari i parë i lindur pas datës 1.1.2003 që ka shënuar gol në Serie A. Në fund të ndeshjes, Mourinho foli për mikrofonat e Dazn, ku analizoi ndeshjen.

Festa me Afena-Gyan?
I kam premtuar se do t’i jap disa këpucë të shtrenjta, që kushtojnë 800 euro (qesh). Më vjen keq për mister De Rossi, por tani ai do të qëndrojë me ne. Dhe nesër do t’i blej këpucët.

Ndeshja?
Ishte një përballje paksa e bllokuar, Mkhitaryan bëri një lojë fantastike në atë pozicion, na mungonte pak vertikaliteti. E aktivizova Felix sepse mendova se kishte një profil tjetër. Hyri në lojë dhe i krijoi mjaft vështirësi kundërshtarit. Mendova se me fizikun e tij mund të bënte mirë, por skuadra luajti mirë.

Çfarë menduat kur patë Felix për herë të parë?
Të rinjtë punojnë afër nesh. Ai dhe 3-4 të tjerë stërviten shpesh me ne. Më bëri përshtypje ftohtësia e tij para portës. Teknikisht nuk është fenomen, por mjaft i ftohtë emocionalisht. Më ka goditur fiziku dhe përulësia e tij. Në këtë brez të ri do të gjesh djem që mendojnë se tashmë dinë gjithçka, ai është e kundërta. Më vjen keq për mister De Rossi, sepse po e humbet Felix, por do të jetë i lumtur për djalin që kapi ekipin e parë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit