E solli Panucci, por qëndroi me kombëtaren shqiptare. Italiani krijoi databazën gjigante të kuqezinjve dhe “zbuloi” Asanin

29 Nëntor 2023
12:52
Alfred Lleshi
back button

“Kur mbërrita në Tiranë, Federata Shqiptare e Futbollit më tregoi një bazë të dhënash gjigante. Është një shërbim i jashtëzakonshëm, pa të nuk do ta kishim gjetur kurrë Jasir Asanin”, – tha trajneri Sylvinho për “Reuters”, një javë më parë.

Ai i referohet softuerit të krijuar nga Alarico Rossi, një analist italian futbolli, i cili mbërriti në Shqipëri me Panucci në vitin 2017, por më pas qëndroi aty për të revolucionarizuar mënyrën e përzgjedhjes së lojtarëve: “Kur mbërrita më shikonin si alien, nuk i kishin parë kurrë metodologjitë e mia.

Vura re një boshllëk në sektorin tim dhe ia propozova idenë që kisha presidentit të federatës, Armand Duka. I kërkova të krijonim një bazë të dhënash të të gjithë futbollistëve shqiptarë në botë, të ndarë sipas rolit dhe karakteristikave, për ta bërë punën e trajnerëve të kombëtareve më të lehtë”.

Me të thënë e me të bërë, puna nisi shpejt dhe nuk u ndal: “Shqipëria zyrtare ka rreth 3 milionë shqiptarë, por nëse llogarisim emigrantët dhe fëmijët e tyre nëpër botë bëhen rreth 10 milionë. Për të mos folur për popullsinë etnike shqiptare, por me pasaporta të ndryshme. Pjesa më e vështirë është të përcaktohet nëse një lojtar mund të thirret apo jo sipas rregullave të FIFA-s. Vetëm më pas vjen pjesa tekniko-taktike”.

Një rast i veçantë ishte Jasir Asani, futbollisti i intervistuar nga “Cronache”, njeriu i momentit në kombëtaren e Shqipërisë: “Asani është një shembull i përsosur për të shpjeguar të gjithë procesin. Ai ka lindur në Shkup, Maqedoninë e Veriut, por është shqiptar etnik. Ai nuk kishte luajtur asnjëherë për asnjërën nga dy kombëtaret kryesore, as për Shqipërinë dhe as për Maqedoninë, ndaj mund të thirrej.

Kur e futa në databazë, duke iu referuar kohës kur luante për Partizanin e Tiranës, ai u zgjodh MVP i kampionatit shqiptar. Në atë kohë, megjithatë, kampionati vendor nuk konsiderohej mjaft konkurrues për të justifikuar një thirrje me kombëtaren. Me Rejën luajtëm me skemën 3-5-2, e papajtueshme me rolin e Asanit, i cili është një anësor i pastër sulmues.

Ndërkohë, djali shkoi të luante fillimisht në Hungari, më pas në Korenë e Jugut. Në gjithë këto vite kam vazhduar ta ndjek falë databazës sime, edhe në kampionate kaq të izoluara. Ardhja e Sylvinhos krijoi kushtet taktike ideale që thirrja e Asanit, një anësor i djathtë me këmbën e majtë, të konkretizohej më në fund”.

Metodologjia, konsistenca dhe puna. Rezultatet po e shpërblejnë Rossin dhe të gjithë stafin e tij. Po, sepse në 6 ndeshjet e para me fanellën e kombëtares, Asani mori pjesë në 5 gola (3 gola, 2 asiste). Falë edhe punës së Alarico Rossit, kombëtarja e Shqipërisë është në finalet e “Euro 2024”. Pas De Biasit, një tjetër staf me përbërje italiane e gëzoi mbarë popullin shqiptar.
Marrë nga “cronachedispogliatoio.it”

Lajme të tjera

Lajmet e fundit