E sulmuan pas humbjes me Realin, Koeman i quan fanatikë dhe të paarsimuar fansat e Barçës

26 Tetor 2021
15:49
Alfred Lleshi
back button

Ronald Koeman u ankua në konferencën për shtyp mbi atë që i ndodhi gjatë largimit nga “Camp Nou”, mbas humbjes në klasiken e fundjavës së kaluar me Real Madridin. Përveç kësaj, ai njoftoi se ende nuk ka vendosur për strategjinë që do të ndjekë me Ousmane Dembélé, nëse ai refuzon të rinovojë me Barçën.

Ndeshja me Rayo Vallecano – “Është një skuadër e ngjitur këtë vit në La Liga, por po bën një sezon të mrekullueshëm deri tani. Kundërshtari i nesërm është agresiv. E kemi të freskët kujtimin e ndeshjes së Kupës, ndaj presim një ndeshje të vështirë”.

Incidenti me fansat – “Unë nuk mendoj se ka zgjidhje. Për mua është një problem social. Janë tifozë fanatikë, ose njerëz me probleme arsimore. Nuk dinë se cilat janë normat dhe vlerat. Nuk duhet t’u kushtojmë shumë vëmendje atyre njerëzve. Me video-regjistrimin… tashmë i kemi këtu çdo ditë. Duket se ka qenë një pritë vetëm për mua, por duhet ta dini se me shumë lojtarë dhe familjet e tyre ka ndodhur e njëjta gjë. Është një problem social”.

Lëndimet – “Të gjithë jemi të shqetësuar për dëmtimet. Ne po mundohemi të analizojmë situatën në mënyrë që një lojtar të përmirësohet. Mund të ndodhë që Pedri të jetë jashtë për pak kohë”.

Dembélé pa luajtur – “Gjëja më e rëndësishme është se ne duam që të qëndrojë. Është e rëndësishme, sepse ai ka cilësi. Objektivi është rinovimi. Një tjetër gjë është pastaj, nëse ai nuk dëshiron të rinovojë. Duhet të flasim si klub se cila është mënyra më e mirë. Nuk kemi folur ende se cila do të jetë strategjia jonë, nëse Dembele nuk rinovon”.

Dorëheqje – “Është e vërtetë që nuk më pëlqeu ajo që ndodhi me tifozët, kur isha në makinë. Sidoqoftë, ndikohem më shumë nga njerëzit që dinë çfarë bëjnë, janë të arsimuar. Jam aty ku duhet dhe mundohem të kënaqem. E di si funksionon kjo punë. Dua të kënaqem, pavarësisht nëse do të zgjasë 8 vite, 3 muaj apo 1 vit…”

Fjalët e Ancelotti – “Të kalosh një kohë të keqe varet nëse fiton apo humb. Në çdo kategori, trajneri ka presion. Në skuadrat e mëdha, edhe më shumë. Ancelotti, si një trajner me përvojë, që ka drejtuar shumë klube të mëdha, e di se çfarë është presioni. Ai më inkurajoi, sepse e di se çfarë situate po kalon Barcelona”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit