E thonë shifrat, nuk fshihet dot. Interi ka një mbrojtje “horror”

22 Tetor 2020
10:22
Alfred Lleshi
back button

Ndeshja e mbrëmshme duhej të ishte pika e kthesës dhe, pse jo, e rilindjes mbrojtëse për Interin, zhytur në një pus, fundi i të cilit mezi shihet. Barazimi i përvuajtur kundër Borussia Moenchengladbach është rezultati i tretë radhazi pa fitore, seri e cila tashmë ka minuar atë që deri para disa javësh ishte një nga siguritë më të mëdha.

Ne po flasim për repartin e mbrojtjes, më të mirin e Serie A në sezonin e kaluar; me 36 gola të pësuar, shtatë më pak se kampionët italianë të Juventusit. Formacioni me tre mbrojtës është gjithmonë i njëjtë, por, për të ndryshuar, kanë shërbyer lojtarët e zgjedhur për detyrën.

Dje, Interi paraqiti treshen mbrojtëse vijuese: D’Ambrosio në qendër të djathtë, De Vrij në qendër dhe Kolarov në qendër të majtë,. Me pak fjalë, vetëm një mbrojtës “të pastër” (hollandezi). Nën lupë, performanca e Kolarov kishte alarmuar. Tifozët e kanë ende të freskët provën për t’u harruar të serbit në derbi, i njollosur nga gabimi që i hapi rrugën fitores së Milanit.

Kundër Borussia shkoi më mirë dhe u krijua përshtypja se ish-lojtari i Romës po asimilonte atë që Conte kërkon prej tij. Ai nuk mund të fajësohet për golin e dytë, që pësoi Interi.

Sidoqoftë, numrat flasin vetë dhe për Interin krijojnë një lloj sikleti: 10 gola të pësuar në 5 ndeshjet e Serie A dhe Ligës së Kampionëve, një mesatare prej 2 golash për ndeshje. Kjo nuk mund t’i shkojë një ekipi që ka si qëllim të sfidojë Juventusin për titull dhe të bëjë kapërcimin cilësor në Europë.

Krahasimi me të njëjtat të dhëna të mbledhura në të njëjtën pikë të sezonit, por një vit më pare, është mbresëlënës. Asokohe, zikaltrit kishin pësuar vetëm 2 gola, me tri ndeshje të pastra në portë, që jepnin idenë e një sistemi me ingranazhe të duhura, i cili funksiononte në mënyrë perfekte.

Ndërsa mbrojtja ishte një forcë për t’u sezonin e kaluar, ajo tani konsiderohet si një dobësi, që papritmas është bërë një realitet i hidhur për t’u tretur. Në këtë pikë është e ligjshme të pyesim se cili ishte sensi teknik i operacionit që çoi në lamtumirën e Godin, një nga kolonat zikaltër, që do të kishte qenë shumë i përshtatshëm, falë përvojës së tij të madhe.

Sidoqoftë, Conte duhet të ketë alibinë e mungesave dhe Covid-19, që goditi shtatë lojtarë në një kohë të shkurtër. Dy nga këta (Skriniar dhe Bastoni) janë mbrojtës dhe zgjedhjet e detyruara nuk ofruan shumë hapësirë ​​për të provuar diçka të ndryshme, e cila do të kishte qenë një skemë e re, mbase kalimi në 4-3-1-2, i kërkuar nga shumica e tifozëve.

Për Interin, megjithatë, nuk ka shumë kohë. Kalendari i 5 ndeshjeve në 15 ditë që pret Handanovic dhe shokët e tij të skuadrës është pak i frikshëm. Për Conte, shpresa është te rikuperimi i disa elementëve, që do t’i japin atij më shumë opsione, më shumë se kurrë të nevojshme për të ndryshuar një trend shqetësues dhe të papritur difensiv.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit