“E treta e vërteta” për Ahmataj: Tifozët na mungojnë, ja si fitohet ndaj Vllaznisë

7 Nëntor 2019
14:54
Alfred Lleshi
back button

Julian Ahmataj ishte fare pranë fitores së dytë radhazi në Durrës, si trajneri i ri i bardhebluve. Pas fitores 3-0 në Gjirokastër, Tirana e tij ishte në avantazhin minimal në “Niko Dovana”, deri në minutën e dytë të kohës shtesë, kur Hoxha barazoi për durrsakët. Nesër do të jetë “e treta e vërteta” për të, në këtë mision që ka marrë përsipër, pas shkarkimit të Ardian Memës. Përballë do të ketë Vllazninë në “Selman Stermasi”, në një stadium të boshatisur. Kjo përplasje konsiderohet klasikja e futbollit shqiptar, edhe pse kuqeblutë vijnë pas dy humbjesh radhazi. Vend për autokritikë ka te të dyja palët, ndaj sfida e nesërme, që hap siparin e javës së 12-të të Superiores, ka pritshmëri të mëdha. 

Ahmataj, në konferencën e sotme për shtyp, nënvizoi mes të tjerash: “Është një klasike e futbollit shqiptar, të gjithë e dinë. Skuadra është e ndërgjegjshme për ndeshjen e vështirë që ka përpara, pasi Vllaznia ka marrë rezultate pozitive në çdo fushë. Nuk heqim dorë nga filozofia dhe loja jonë. Do të hyjmë në fushë vetëm fitore. Këtë nuk e bazojmë vetëm te dëshira, por te logjika e lojës dhe ajo që duhet të bëjmë në fushë. 

Luhet pa tifozë? Natyrisht, kjo ndikon negativisht. Ata janë lojtari i 12-të, ta rrisin adrenalinën, nxjerrin energjitë e fshehura të çdo futbollisti, çka përkthehet në rezultat. Sidoqoftë, duhet të jemi përgatitur për këtë, pasi e kemi marrë konfirmimin për mungesën e tifozëve. Mungesat për nesër? E kam thënë që Tirana ka një kontingjent lojtarësh, i ka të gjitha rolet e dubluara. Kemi një ndërthurje të lojtarëve me eksperiencë dhe atyre të rinj. Të rinjtë ndihmohen, por mungesat janë evidente. Kemi rikuperuar Hasanin, Muçi bashkohet me skuadrën nesër. Ka qenë i grumbulluar me kombëtaren. E thashë, Tirana ka shumë lojtarë, që të mos ndihen mungesat.

Që të mos kemi mungesa, duhen evituar dëmtimet, por edhe minimizuar kartonët. U kemi thënë lojtarëve që, kur është mundësia, të mos ndëshkohen. Besoj se në vazhdim kjo gjë do të përmirësohet. Objektivat në stolin e Tiranës? Personalisht dua të fitoj çdo ndeshje, të shpallemi kampionë. Nuk di që Tirana të jetë futur në ndonjë kampionat për objektiv më të ulët, apo thjesht për të marrë pjesë në garë. Do të mundohemi që atë që bëjmë në stërvitje ta demonstrojmë edhe në ndeshje. Jemi munduar ta mbajmë skuadrën larg mediave këto ditë, që të punojmë më shumë e tëflasim më pak.  

Barazimi i fundit në Durrës? Po ta shikojmë ndeshjen me Teutën, e patëm lojën në kontroll. Në fillim patëm pak probleme dhe dominuam në shumicën e ndeshjes. Në pjesën e dytë humbëm disi, kundërshtari na sulmoi dhe na bëri shumë presing. Pësuam në fund, kur nevojitet më shumë përqendrim. Duhej larguar ai top. Megjithatë, duhet të jemi optimistë. I dimë problemet tona dhe po punojmë t’i rregullojmë.

Merkatoja e janarit? E thashë dhe më lart, skuadra është e kompletuar në të gjitha repartet. Normal, ka gjithmonë vend e nevojë për përforcime. Klubi e ka në dorë merkaton. Unë jam i kënaqur me grupin që stërvis dhe po punojmë të përmirësohemi përditë”.

Standings provided by Sofascore LiveScore

Lajme të tjera

Lajmet e fundit