E vërshëllyen tifozët për përjashtimin e Sterling, Van Dijk i del në mbrojtje

15 Nëntor 2019
21:45
back button

Virgil van Dijk ka dalë në mbrojtje të shokut të tij të skuadrës te Liverpool, Joe Gomez pasi ky i fundit është kontestuar e vërshëllyer nga vetë tifozët e Anglisë, për një sherr mes tij dhe yllit të Manchester City, Raheem Sterling.

Në fakt Gomez u vërshëllye zhurmshëm nga disa tifozë të Anglisë gjatë fitores së “3 Luanëve” 7-0 ndaj Malit të Zi, duke torturuar kështu futbollistin e Liverpool, me trajnerin Gareth Southgate që u përpoq të ngushëllojë vetë lojtarin dhe familjen e tij pas ndeshjes.

Kontestimet ndaj tij u shkaktuan nga një përplasje mes tij dhe Sterling gjatë grumbullimit të kombëtares, me yllin e Manchester City që kishte tentuar të kapte për fyti Joe Gomez, teksa i thonte: “të gënjen mendja se tani je ti i forti?”. Një shpërthim ky i Sterling që vinte pas përballjes së dy futbollistëve pak ditë më parë në kampionat me Liverpool që fitoi 3-1 ndaj “Qytetarëve”.

Veprimi i Sterling detyroi trajnerin e Anglisë, Southgate ta përjashtojë atë nga përballja me Malin e Zi, ndërkohë që të dy protagonistët e përplasjes bënë paqe mes tyre. Gjithsesi, tifozët e Anglisë, duke bërë përgjegjës Gomez për përjashtimin e Sterling e kanë shënjestruar me vërshëllima lojtarin e Liverpool gjatë të gjithë ndeshjes ndaj Malit të Zi.

“Është zhgënjyese të shohësh këtë gjë. Mendoj se të gjithë duhet të ndalojnë së folur për atë, sepse është vetëm një gjë që ndodhi. Ata e kanë zgjidhur tashmë gjithçka mes tyre. Të gjithë duhet të vazhdojnë me jetën e tyre dhe mbi të gjitha të lënë të qetë Joe. Është zhgënjyese të shohësh diçka të tillë”, ishte apeli i Van Dijk ndaj tifozëve të Anglisë, për trajtimin që i servirën Joe Gomez.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit