E vetmja nga 54 ligat e UEFA-s, ku luhet futboll. Elis Bakaj zbulon sekretet për “Marca”

1 Prill 2020
9:21
Alfred Lleshi
back button

A është i gjithë globi i okupuar nga Covid 19? Jo! Një shtet i populluar nga “të paprekshëm” ende i reziston “pushtuesit”. Bashkë me futbollin e tij. Fjala është për Bjellorusinë, ku luan edhe shqiptari Elis Bakaj. “Vysheyshaya Liga” është emri zyrtar i turneut kombëtar të ish-republikës sovjetike, e vetmja nga 54 ligat e UEFA-s, që vazhdon të luhet edhe sot, pasi “Coronavirus” detyroi pezullimin e pjesës tjetër të kampionateve.

Në Bjellorusi, gjithçka është ende e hapur: kompanitë e prodhimit, shkollat, qendrat tregtare…, prandaj është normale që garat më të rëndësishme sportive, si hokej mbi akull, hendboll dhe futboll të ndjekin kursin e tyre normal. “Në fund të fundit, janë të njëjtët njerëz në një stadium, për të parë një lojë të ligës sonë, që qarkullojnë me makinë apo metro”, – shpjegon Yury Dounar, drejtor i “pressball.by”, mediumi më i rëndësishëm sportiv në vend.

Me më pak se 100 raste të zbuluara dhe asnjë vdekje, sipas të dhënave zyrtare, askush nuk i beson këto shifra. Alexander Lukashenko është presidenti i parë dhe i vetëm i Bjellorusisë, që nga momenti kur vendi u nda nga BRSS. Ai rekomandoi që popullsia e tij të lajë duart me vodka, pijen e njohur të ish-BRSS: “Njerëzit jo vetëm që duhet të desinfektohen me vodka, por edhe të pinë 40, ose 50 mililitra çdo ditë, si dhe të shkojnë në sauna dy, ose tri herë në javë. Njerëzit janë duke punuar me traktorë dhe askush nuk flet për virusin. Traktorët do t’i shërojnë ata, sepse fusha shëron gjithçka”, – tha presidenti.

Në fushë, futbollistët marrin përsipër të argëtojnë tifozët. Shqiptari Elis Bakaj, futbollist i Dinamo Brest, rrëfen për “MARCA” situatën e rrallë: “Ne e dimë që nuk është e lehtë të luash tani, por duhet të jemi profesionistë, madje duke e ditur që mund të jemi në rrezik. Para çdo ndeshjeje duhet të kalojmë disa teste për “Coronavirus” dhe pastaj na e matin temperaturën çdo dy ditë”. Mbrojtësi i Ruh Brest, William, ishte më i qartë: “Unë kam frikë. Pas çdo ndeshjeje ndjehem sikur jam i infektuar. Drejtuesit duhet ta ndalojnë kampionatin”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit