E zbuloi Igli Tare, kushton 160 milionë euro: Po, jam “Ibrahimovici i mesfushës”!

24 Prill 2019
11:19
Alfred Lleshi
back button

Mesfushori i Lazios, Sergej Milinkoviç-Savic, ka zbuluar se admiron sulmuesin suedez të LA Galaxy, Zlatan Ibrahimovic, madje mendon se kanë stil të ngjashëm të të luajturi. Serbi u përkufizua si "Ibrahimovic i mesfushës" nga trajneri veteran italian, Fabio Capello. Një krahasim, që e lumturoi 24-vjeçarin, ndërsa tregoi se e ka ndjekur me shumë interes karrierën e suedezit prej një kohe të gjatë deri tani. 

"Më pëlqen shumë Zlatan Ibrahimovic, – tha ai për DAZN. – E kam ndjekur atë prej vitesh të tëra. Më pëlqen si lojtar dhe si njeri. Krahasimi mes nesh mund të qëndrojë për shkak se unë jam aq i gjatë sa ai, si dhe për shkak të teknikës. Unë kam një stil të ngjashëm kërcimi në ajër dhe të luajturi me të, kështu që e pëlqej Ibrën për shkak të të gjitha këtyre aspekteve".

Milinkoviç-Saviç bëri një paraqitje të shkëlqyer në sezonin e kaluar, duke shënuar 14 gola dhe dhënë 8 asiste në të gjitha garat, teksa Lazio përfundoi i pesta në Serie A. Ky sezon, megjithatë, e ka parë më të tërhequr serbin, me një rol më mbrojtës në mesfushë, me Luis Alberto më të avancuar. Dhe ky ndryshim taktik ka ndikuar në numrin e golave të tij. Milinkovic-Savic ka shënuar vetëm 5 gola deri tani.

Tri ditë para Krishtlindjeve, ai shënoi në fitoren 3-1 të Lazios ndaj Cagliarit, duke prishur “agjërimin” që kishte zgjatur 15 ndeshje. Një “thatësirë”, që e kishte acaruar jo pak psikologjikisht: “Ai gol i shënuar hoqi një peshë të madhe nga shpatullat e mia. Sezonin e kaluar kam shënuar shpesh, kështu që njerëzit më kanë kritikuar, duke thënë se nuk po e bëj këtë gjë përsëri.

Kam lexuar shumë, për fat të keq, se ky është problemi im kryesor. Kam pasur shumë miq, që më kanë ndihmuar ta mbaj kokën lart. Në këtë pikë kam pasur edhe mbështetjen e bashkëshortes dhe familjes sime. Mund të them se ishte një periudhë e vështirë për mua.

Sidoqoftë, duhet të kuptojnë të gjithë se jam duke luajtur më i tërhequr në fushë, jam më larg portës. Luis Alberto ka luajtur më lart dhe unë pozicionohem pas tij. Gjithsesi, siç e kam thënë shumë herë tashmë, nuk është e rëndësishme nëse shënoj shumë apo jo. E rëndësishme është ta ndihmoj Lazion të fitojë ndeshjet".

Milinkoviç-Saviç ishte objekt interesimi për shumë klube elitare të Europës gjatë verës së kaluar, si dhe në janar. Presidenti i Lazios, Claudio Lotito, pranoi se hodhi poshtë një ofertë prej 160 milionë eurosh për një nga yjet e klubit të tij. Vetë serbi refuzoi ta tregojë nga erdhi kjo ofertë: "Unë e dija në ato ditë se do të qëndroja këtu, te Lazio. Isha plotësisht i përqendruar te kjo skuadër. Lexova mjaft thashetheme për mua në media, por nuk iu kushtova shumë vëmendje, sepse e dija që e ardhmja ime ishte vetëm këtu”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit