Tenis

Edhe Djokovic refuzon turnetë e Bazelit dhe Vienës, rikthehet në Paris

Fitorja në turneun Masters të Shangait ka ndryshuar planet e tenistit serb Novak Djokovic, që ka vendosur të mos luajë në dy turnetë europianë të Bazelit dhe Vienës, që nisin javën e ardhshme. Serbi mori 1,000 pikët e nevojshme që e ngjitën jo vetëm në vendin e dytë të renditjes botërore, por edhe e ngushtuan në 35 pikë disavantazhin me Rafael Nadal.

Ndaj Djokovic ka vendosur të ruajë energjitë dhe të paraqitet në formën optimale në turneun Masters të Parisit, që zhvillohet në javën e parë të nëntorit, nga ku do të nisë garën me spanjollin për kreun e renditjes botërore. Ndërkohë që, turneu i fundit ku serbi do të luajë janë finalet e Championship, në Londër (marrin pjesë 8 tenistët më të mirë në botë).

Nëse Djokovic do të luante në Bazel apo Vienë do të kishte marrë pikët e nevojshme për t’u ngjitur në krye të renditjes që në tetor (janë turne ku fituesi merr 500 pikë), por serbi ka ndryshuar strategji. Atij i mjafton të paraqitet mirë në Paris dhe Londër për ta mbyllur kreun e renditjes në krye të renditjes. Edhe Rafael Nadal nuk do të luajë në këto dy turne, ndërsa në Bazel do të jetë Roger Federer.

Më shumë nga Tenis