Edhe Durant pranë largimit nga Brooklyn, fotoja me Portland çmend rrjetet sociale

27 Qershor 2022
9:06
Gentian Spiri

Ka mjaftuar një postim në rrjetet sociale i basketbollistit të Portland, Damian Lillard që e gjithë NBA të tronditet. Fotoja e tij bashkë me Kevin Durant, të dy me fanellën e Portland, ka trazuar ujërat pak ditë para se të nisë merkato.

Natyrisht një fotomontazh, por fakti që Durant është i veshur me fanellën e Portland nuk është një rastësi. Ai luan me Brooklyn Nets, por ndoshta aventura e tij me këtë ekip ka mbërritur në fund.

Lillard e Durant kanë luajtur së bashku në kombëtare, ku fituan medaljen e artë në “Tokio 2020”. Ndoshta ata do të jenë sërish së bashku sezonin e ri 2022-2023 me Portland, duke parë që situata te Brooklyn nuk është e mirë.

Pak ditë më parë edhe Kyrie Irving u përfol se do të largohet e ndoshta tani është radha e Kevin Durant. Ndërkohë që, në mesin e sezonit të kaluar u largua edhe James Harden, trioja e mrekullive që pritej t’i jepte titullin kampion, por që zhgënjeu.

Sipas mediave amerikane, Durant po monitoron situatën mes Irving dhe Brooklyn e më pas do të veprojë edhe ai. Ai ka mundësinë të ushtrojë “player options” ose të bëhet “free agent” këtë verë, çka do t’i jepte mundësi të ndryshojë skuadër.

Në kahun tjetër edhe te Portland ëndërrojnë, pasi Durant është një basketbollist që mund t’u sjellë shumë rezultate. Ata mund të ndërtojnë një ekip pretendent bashkë me Lillard e Jerami Grant. Të ëndërrosh nuk është e ndaluar…

Lajme të tjera

Lajmet e fundit