Edi Martini e nis “në sulm” te Teuta: Ju njoh mirë të gjithëve, dua maksimumin!

16 Dhjetor 2019
15:48
Alfred Lleshi
back button

Një kapitull mbyllet, një tjetër hapet te Teuta. Kjo, sa i përket trajnerit të skuadrës durrsake. Bledi Shkëmbi, ish-fantazisti i spikatur korçar, duhet të shikojë për ndonjë ekip tjetër në karrierën si teknik i ri, ndërsa vendin e tij te “djemtë e detit” e kanë zënë një shkodran, edhe ai i spikatur si futbollist, por në rolin e trajnerit ka ende mjaft për t’u konfirmuar. Edi Martini është prezantuar sot në qytetin e traumatizuar, që ende vijon të jetë nën makthin e tërmetit fatal të 26 nëntorit. 

Për 44-vjeçarin është një rikthim te Teuta, pas tetë vitesh, ndaj nuk do t’i duhet shumë për t’u ambientuar me klimën e bregdetit. Debutimin në këtë rol do të duhet ta bëjë ndaj kampionëve të vendit në fuqi, Partizanit, të cilët i ka “luftuar” mediatikisht e në distancë, pasi të kuqtë i dhanë Vllaznisë së tij të zemrës goditjen përfundimtare drejt një kategorie më poshtë, para dy sezonesh. Një rast për “hakmarrje” të drejtëpërdrejtë, nga e mërkura. Para lojtarëve, që ka nisur t’i stërvisë nga dita e sotme, Martini u shpreh: 

Pothuajse të gjithë lojtarët i njoh, jo personalisht, por gjatë ndeshjeve. Ju njoh mjaft mirë. Ishalla dalim faqebardhë, për të tjerat kemi kohë boll për të diskutuar. Kemi dy ndeshje përpara, në fund të këtij viti, ku duhet të japim të gjithë maksimumin. Duhet të sakrifikojmë në maksimum, pasi janë dy ndeshje që na mbajnë në garë për objektivat e klubit. Kam besim se kemi lojtarët e duhur, këto dy ndeshje duhet të japim maksimumin“.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit