Egbo jep leksione: Futbolli në Shqipëri është i thjeshtë, do flas me Halilin

22 Dhjetor 2019
15:28
Eraldo Harlicaj
back button

Trajneri i Tiranës, Emanuel Egbo, ka folur pas fitores së 3 radhazi në krye të bardhebluve. Tekniku i portierëve e mori drejtimin pas largimit të Julian Ahmatajt. Ai ka bërë shumë mirë, pasi mposhti Partizanin në derbi, kaloi me sukses Flamurtarin dhe fitoi një ndeshje karakteri ndaj Laçit në transfertë. Afrikani foli për Supersport pas ndeshjes së luajtur në Laç.    

Fitorja – “Ne kemi vlerësuar maksimalisht ndeshjen. Duhet të qëndrojmë afër njëri-tjetrit, terreni nuk ka la shumë hapësirë dhe favor. Çunat kanë luftuar në çdo moment, kanë luftuar për topin e parë dhe të dytë. Falenderoj zotin gjithmonë, ai ka gjithë meritat”. 

Ndryshimi që ka bërë –  “Nuk i kam dhënë asgjë, vetëm i kam bërë gjërat e thjeshta. Futbolli është i thjeshtë, nuk ka shkencë. Sidomos në futbollin shqiptar, duhet ekuilibër, kompaktësi, duhet luftuar. Fitojmë topin, kemi tranzicionin pozitiv. Duhet të qëndrojmë në ndeshje, pasi goli do të vijë”. 

Muçi – “Me ndeshjen e sotme, mendoj do edhe akoma më shumë punë për të qenë sulmuesi kryesor. Sulmuesi kryesor i Tiranës ka punë për të bërë nga ana fizike. Me Flamurtarin ka krijuar shumë, por ka qenë i pafat. Do ta shohim, dalëngadalë. Por, e ka treguar se e meriton edhe ai vendin”.

Grupi i lojtarëve – ” I pari është grupi. T’i bëjmë gjërat e thjeshta. Torasa, Hoxhallari, Doka, t’i vendosim në pozicionin e tyre. Fryma e grupit është e rëndësishme t’i bëjmë gjërat e thjeshta. Ne kemi edhe individ, por prapë është lufta. Do bisedoj me presidentin dhe të shohim si do të ecë puna”. 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit