Egbo: S’kemi frikë të themi se jemi për titull, por mendojmë vetëm Laçin!

7 Mars 2020
13:53
Alfred Lleshi
back button

Tirana-Egbo është dueti më fitues në Superiore. Ata nuk njohin humbje së bashku, teksa nigeriani vijon t’ia atribuojë meritat Zotit. Megjithatë, në fushë luajnë lojtarët, që ai stërvit prej më shumë se një faze kampionati, tashmë. Kësisoji, titulli me rastin e 100-vjetorit të klubit bardheblu do t’i vendoste ata në krye të “sofrës” së festimeve. Nesër duhet kaluar me sukses Laçi, një kundërshtar ambicioz dhe që synon zonën europiane. Për pasojë, vështirësia shtohet, nuk është ajo e mesjavës (në Vlorë) për 24 herë kampionët e vendit. Këtë e pranon edhe Egbo, pavarësisht se thotë me forcë se nuk ka frikë nga askush dhe asgjë: 

“Ne duhet ta vlerësojmë maksimalisht ndeshjen e radhës dhe të futemi në fushë për të marrë maksimumin. Laçi me mungesa? Nuk na hyn kjo në punë. Nuk shikoj ekipin kundërshtar, shikoj vetëm ekipin tim. Si përherë, do të futemi në fushë për të marrë maksimumin. Laçi është një ekip që duhet vlerësuar maksimalisht, sepse ka ekip me organikë të mirë, jo më kot është në vendin e tretë. Edhe Luftëtari me Flamurtarin, që janë në fund, nuk mund të quhen ekipe të lehta.

Titulli? Janë edhe 11 javë për t’u luajtur, sa të mbyllet kampionati. Do të vazhdojmë t’i marrim ndeshjet një nga një. Duam të marrim maksimumin në çdo ndeshje. Ju gazetarët bëni llogari dhe analizë, ndërsa ne i marrim ndeshjet një nga një. Dhuratë nga Skënderbeu? Nuk merremi me ekipet e tjera, duhet të bëjmë punën tonë. Nuk na intereson se çfarë bëjnë të tjerët, nëse bëjmë si duhet punën tonë.

Mbrojtja? Nuk kam ndryshuar shumë gjëra, ekipi ka marrë rezultatet positive dhe repartet kanë fituar siguri. Nuk është çudi që jemi në këtë pozicion. Me pikët që kemi marrë, edhe ekipi ka fituar njëlloj vetëbesimi. Kemi shënuar shumë gola dhe kemi pësuar pak, ekipi ka krijuar një identitet dhe mentalitet fitues. Nuk kemi frikë të themi se jemi për titull, por na duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Në fund do t’i bëjmë llogaritë”.

Standings provided by Sofascore LiveScore

Lajme të tjera

Lajmet e fundit