Ekdal zbulon të ardhmen e Ibrës: Unë vë bast se do të shkojë te ky ekip

15 Nëntor 2019
10:11
Alfred Lleshi
back button

Zlatan Ibrahimovic do të largohet nga LA Galaxy, nuk ka rinovim të kontratës së tij, që skadon në dhjetor. Vetë gjiganti suedez e ka bërë me dije këtë, përmes rrjeteve sociale: “Unë erdha, pashë, pushtova. Faleminderit LA Galaxy, që më bëre të ndjehem gjallë përsëri. Për fansat: ju dëshiruat Zlatan, ju dhashë Zlatan. Historia vazhdon…, tani kthehuni e shihni bejsboll”. Tashmë duhet të kuptojmë se cila do të jetë e ardhmja e 38-vjeçarit. Nga Italia shohin Bologna në “pole position” për suedezin, referuar marrëdhënies së sinqertë e miqësore, që e lidh sulmuesin me Sinisa Mihajlovic. Megjithatë, një nga ish-shokët e tij të kombëtares, është i bindur se në fund zgjedhja do të jetë e ndryshme.

Duke folur në konferencën për shtyp, në prag të ndeshjes kundër Rumanisë, Albin Ekdal zbuloi se, sipas tij, skuadra e re e Ibrahimovic do të jetë Milani: “Çdo ditë, gazetat shkruajnë diçka për Ibrahimoviçin. Pa dyshim që është një temë e nxehtë. Kurrë nuk mund ta dini se çfarë vendimi do të marrë Zlatan. Milani më duket destinacioni më i natyrshëm, më duket e vështirë ta shikoj te Bologna. Nëse do të më duhej të vija bast, do të thoja Milani”.

Andreas Granqvist duket më i kujdesshëm: “Ai dukej i lumtur me atë që bëri në SHBA. Asnjëherë nuk mund ta dish se çfarë do të bëjë Zlatan. Shpresoj që të vazhdojë të luajë, për t’iu treguar të gjithëve se çfarë kampioni është. Sipas shumë mediave, Italia është destinacioni më i mundshëm, unë nuk do të befasohesha nëse kthehet atje”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit