Ekipet durrsake dominojnë Superligën, Tirana shuan shpresat e Vllaznisë për play off

2 Mars 2019
19:58
Telesport
back button

Janë luajtur sot ndeshjet e javës së 14-të të Superligës në basketboll për meshkuj. Skuadra e Goga Basket mposhti 84-71 Partizanin, një përballje mes dy ekipesh pretendente për titull këtë sezon, ndeshje e luajtur në mjediset e “Akademisë Goga”. Fitorja e ekipit durrsak ishte e merituar, duke patur një epërsi prej 10-15 pikësh gjatë gjithë kohës. Goga Basket u shkëput që në pjesën e parë dhe e ruajti epërsinë edhe në 20 minutata e dyta, me të kuqtë që ishin gjithnjë në ndjekje, pa mundur të barazojnë, duke pësuar humbjen e gjashtë sezonale. Goga ruan kështu kreun e renditjes.

Teuta arriti një fitore jo shumë të lehtë ndaj Kamza Basket me rezultatin 100-85, ndeshje e luajtur në Kamëz. Të dyja ekipet luajnë për objektiva të ndryshëm këtë sezon, durrsakët për titullin dhe kamzalinjtë për mbijetesë në Superligë. Ndaj dhe skuadrat dhuruan një ndeshje me rivalitet dhe emocione edhe pse durrsakët kishin një epërsi të lehtë. Ndaj, fitorja e miqve ishte e merituar, duke marrë një sukses që i mban në vendin e dytë, ndërsa Kamza qëndron në vendin e parafundit dhe vijon të duelojë për mbijetesë.

Në “Fahrie Hoti”, skuadra e Tiranës fitoi 97-86 ndaj Vllaznisë, që me këtë humbje humbet përfundimisht çdo shans për të shkuar në play off. Bardheblutë, pas fitores në derbi një javë më parë, zhvilluan edhe sot një ndeshje të mirë ndaj rivalëve shkodranë, duke e dominuar takimin gjatë gjithë kohës. Madje diferenca shkoi deri në 20 pikë. Vllaznia nuk arrin të tregojë nivel të lartë edhe pse e përforcuar me lojtarë të huaj, që nuk bëjnë diferencën. Ndaj, për shkodranët objektivi i vetëm tani mbetet mbijetesa në Superligë, ndërsa Tirana siguron fazën play off.

Basketboll – Superliga Meshkuj, java e 14-të 

Kamza Basket – Teuta, 85-100

Goga Basket – Partizani, 84-71

Tirana – Vllaznia, 97-86

Renditja: Goga Basket 26 pikë (12/2), Teuta 24 pikë (10/4), Partizani 22 pikë (8/6), Tirana 21 pikë (7/7), Kamza Basket 17 pikë (3/11), Vllaznia 16 pikë (2/12).

Lajme të tjera

Lajmet e fundit