Ekskluzive: Europa në “tavë”, Flamurtari takon Dukën!

2 Maj 2019
12:04
back button

I treti në Superiore, i mbytur në borxhe, zgjidhja e vetme për Flamurtarin është privatizimi dhe mbulimi i një pjese të madhe të borxheve nga bashkia Vlorë, që deri tani nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim.

Megjithatë, ekziston edhe një mundësi tjetër për të mbushur paksa arkën e boshatisur të Flamurtarit dhe ajo është pjesëmarrja në Europa League. Flamurtari është i treti, shpresat në Vlorë janë që ky pozicion të ruhet deri në fund, por natyrisht "shpata e Damokleut" është licencimi për pjesëmarrje në kupat e Europës.

Ndoshta kjo ka qenë edhe arsyeja e një takimi zhvilluar sot në një ndër lokalet e njohur në Tiranë mes përfaqësuesve të Flamurtarit dhe presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.

Në takim nuk ishte vetëm administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, por edhe presidenti i kompanisë Atlasjet, Murat Ersoy, si investitor kryesor te Flamurtari.

Prej 2014 Ersoy dhe ortakët e tij presin që Flamurtari të privatizohet dhe që paralelisht të investojnë në tregun shqiptar, si në fluturime, ashtu edhe në turizëm. Asgjë nga këto nuk ka ndodhur, për pengesat pa fund krijuar nga shteti shqiptar, ndaj prej kohësh ka një ngërç të madh në lidhje me Flamurtarin, duke qenë se investitorët turq nuk pranojnë të konsiderohen thjesht donatorë dhe të hedhin para kot, kur me kontratën që kanë aktualisht me bashkinë fare mirë u komunikohet që pas një vit largohen dhe nuk kanë më asnjë lidhje me Flamurtarin.

Natyrisht, Duka nuk mund të zgjidhë gjë në këtë drejtim, por ndoshta FSHF mund të ndihmojë në procesin e licencimit, pasi Flamurtari në Europa League do të arkëtonte mbi 200 mijë euro vetëm nga pjesëmarrja, ndërsa kalimi i një turi do të çonte fitimin në rreth gjysmë milioni euro, shifër që do të lehtësonte jashtëzakonisht klubin në aspektin financiar.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit