EKSKLUZIVE/ Intervistë me Indrit Çullhaj: Nga Tokio te Parisi, karriera, akademia, familja dhe e ardhmja, një rrëfim i kampionit të xhudos

13 Tetor 2022
9:28
Telesport
back button

Me më shumë se 15 vite karrierë dhe fitues i mbi 70 medaljeve të ndryshme në karrierën e tij, Indrit Çullhaj është padyshim sportisti më i mirë i xhudos në vendin tonë. Kampion i shumëfishtë në tapet, ai bë një rrëfim të veçatë për “telesport.al”, ku flet për karrierën dhe planet për të ardhmen.

Indrit, ju jeni një nga sportistët elitarë në vendin tonë. Pas kaq vitesh që garoni, si do ta konsideronit karrierën tuaj?

-Do ta konsideroja një mision të papërfunduar, që ende nuk ka arritur aty ku duhet. Gjithsesi, mbetet një start plot suksese drejt ëndrrës time sportive.

Ju jeni si familje e lidhur me sportin e xhudos. Si lindi ky pasion për këtë sport tek ju dhe në familjen tuaj?

-Babai im ishte shtysa, njeriu që më ka futur në këtë rrugë. Ai na ka ndjekur në çdo cep të botës. Një palestër e vogël u hap në lagjen tonë dhe nga të gjithë ata fëmijë që ishin regjistruar aty, ne treguam përformancë shumë të lartë në krahasim me të tjerët. Sot, shumë prej atyre fëmijëve që dikur e ushtronin këtë sport u larguan, ndërsa ne vazhdojmë ende me ritmin tonë të pandalshëm.

Ju jeni një nga sportistët që jeni edhe pjesë e Forcave të Mbrojtjes. Sa ndikon kjo mbështetje e shtetit shqiptar në arritjen e rezultateve pozitive në sport?

-Jam shumë i kënaqur që jam pjesë e Ministrisë së Brendshme, pasi është gjëja më e mire që mund t’i bëhet një sportisti elitar. E gjithë bota e ka këtë ligj, tashme e kemi edhe ne. Dua të falënderoj Ministrin Niko Peleshi për këtë nismë të madhe që po bën për sportin. Kjo mbështetje ndikon shumë, pasi ne jemi të siguruar tashmë për të ardhmen, gjë të cilën nuk e kemi patur.

Sa i përhapur është sporti i xhudos në vendin tonë? Çfarë mungon ende që të rritet numri i sportistëve që ushtrojnë këtë sport, që më pas të sjellin edhe më shumë sportistë elitarë në xhudo, siç jeni ju?

-Në vendin tonë, xhudo po merr një zhvillim tejet të lartë, duke filluar nga grupmoshat e vogla e deri te më të mëdhenjtë. Në krahasim me vitet që lamë pas, sot jemi drejt krijimit të një Akademie të madhe në sportin e xhudos, që po ndërtojmë bashkë me tranjerin tim Shkurt Çullhajn. Është një punë e madhe që po bëjmë, që mijëra sportistë të kalojnë përmes duarve tona. Çfarë mungon? Mendoj se edhe sporti i xhudos duhet të hyjë në shkolla, siç po bëhet me sportet e tjera, të jepet mësim në këtë sport, siç ndodh në gjithë Europën. Tashmë, me ligjin e ri të miratuar, shoh shumë të rinj që nga dita në ditë po e pëlqejnë gjithnjë e më shumë sportin tonë. Madje na kërkojnë mësuesit e shkollave për të gjetur palestra, që jashtë mësimit të praktikojnë sportin e xhudos

Vjet, ju morët pjesë në Olimpiadë (Tokio 2020), ku patët edhe një dëmtim në sfidën e parë. Sa e rëndësishme është pjesëmarrja e një sportisti në një event të tillë olimpik, çfarë emocionesh përjetuat aty?

-Të marrësh pjesë në Olimpiadë është ëndrra e çdo sportisti. Për të realizuar atë ëndërr unë punova 4 vite pa pushim. Punova fort për të qenë aty, dhe e meritova pjesëmarrjen. Unë isha i bindur në të gjitha drejtimet. Fokusi im në Olimpiadë ishte medalja dhe asgjë nuk do të më ndalte. Atë ditë isha shumë në formë dhe kurrë nuk e kisha menduar dëmtimin. Sidomos kur isha me pikë para kundërshtarit dhe për 10 sekonda mbaronte ndeshja. Aty ndodhi gjëja më e mërzitshme për mua, që kur e kujtoj edhe sot, më mbushen sytë me lot.

Vitet e fundit, sporti i xhudos në Shqipëri, falë edhe një mbështetje nga Kosova, ka njohur rritje në nivel e rezultate. Mendoni se sportistët shqiptarë mund të arrijnë në arenën ndërkombëtare ato rezultate që kanë arritur xhudistet kosovare?

-Unë kam jetuar 5 vite në Kosovë, jam shkolluar dhe atje kam bërë dy deri tri herë në ditë xhudo me trajnerin Driton Kuka, një trajner shumë i zoti. Dhe perfomanca ime u rrit shumë kur unë mësova prej tij. Për të arritur rezultate olimpike nuk është e pamundur, por duhet vetëm diçka, që shteti t’i plotësojë të gjitha kampet olimpike sportistëve shqiptarë. Në kampet e trajnimit olimpik ne njohim kundërshtarët, bëjmë stërvitje me më të mirët në botë dhe kur ne ua kuptojmë atyre luftën, atëherë jemi më të qartë edhe në ndeshjet ndaj tyre. Ajo që kërkojmë nuk është e pamundur.

Duke bërë një krahasim Shqipëri-Kosovë, përse shtetit tjetër shqiptar është më lart se ne në këtë sport? Çfarë na mungon për të bërë “hapin final” dhe a mendon se bashkëpunimi do të na ndihmojë në të ardhmen?

-Xhudo në Kosovë praktikohet shumë vite para nesh, ndaj nuk janë rastësisht aty. Bëhet fjalë për një punë të madhe ndër vite që ata kanë bërë për të qenë në majë. Ndaj ne i kemi si shembull, si model dhe mbase një ditë me sportistët tanë edhe ne mund të shkojmë aty ku ata janë sot.

Në Shqipëri janë zhvilluar disa trajnime. Sa kanë ndihmuar ato në rritjen e nivelit të trajningut në vendin tonë, në mënyrë që në të ardhmen të kemi sa më shumë rezultate të larta në sportin e xhudos?

-Për çdo sportist sa më shumë trajnime të bëjë aq më mirë është. Kjo është një plus i madh, sepse të jep eksperiencë, siguri dhe fokus drejt qëllimit që ka një sportist.

Përpara është Olimpiada e Parisit. Cilat janë planet që keni për të shkuar deri aty, eventet ku do të fokusoheni më shumë? A mendon se mund të jesh sërish në Olimpiadë?

-Planet e mia janë që të ndjek kampet stërvitore dhe më pas të arrij pikët kualifikuese për në Paris, duke garuar në Grand Slam apo Grand Prix. Tashmë unë garoj në një peshë tjetër, jo me 66kg por 73kg dhe po rinis pikët olimpike nga e para. Synimi është të kualifikohem sërish siç bëra në Tokio 2020. Nuk e kam të sigurt praninë në Olimpiadë, por di që jam shumë në formë dhe mund të befasoj nga momenti në moment. Për këtë arsye, nuk do të resht deri në sekondën e fundit drejt Lojërave Olimpike Paris 2024.

Ky ka qenë një vit i mirë për sportin shqiptar, me disa medalje ndërkombëtare (atletikë, mundje). Ju jeni kampion Ballkani dhe fitues i gati 70 medaljeve të ndryshme. Deri ku mendon se mund të arrijë Indrit Çullhaj, a mund t’i dhurosh Shqipërisë një tjetër medalje të tillë?

-Të gjithë sportistët zgjohen dhe punojnë me një ëndërr. Sportistët e përmendur kanë punuar duke pritur se do dalin një ditë kampion dhe e arritën. E njëjta gjë do të ndodhë me këdo që e dëshiron atë fitore ose atë ëndërr që ai ka. Ndoshta jo sot, ndoshta pas një muaji, ndoshta pas shumë vitesh. Gjithsesi, një ditë do e marr me Zotin para. Çdo gjë ndodh është e caktuar prej tij.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit